Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse Egjipti mbështet Saudinë, por qëndron jashtë Paktit të Mekës?

Pse Egjipti mbështet Saudinë, por qëndron jashtë Paktit të Mekës?

Arsyet janë historike por edhe pragmatike

Sulmet e Huthinjve ndaj Arabisë Saudite e kanë rikthyer luftën në Jemen në qendër të vëmendjes së Lindjes së Mesme.

Më 10 dhe 11 tetor, sulmet ndaj Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid në Riad shkaktuan të paktën 14 viktima dhe mbi 300 të plagosur.

Në shënjestër u vunë edhe aeroportet e Dammamit, Jizanit, Najranit dhe Abhasë, ndërsa kërcënimet me raketa dhe dronë detyruan pezullimin ose vonesën e shumë fluturimeve.

Përballë kësaj situate, anëtarët e aleancës së Mekës aktivizuan më 5 tetor masat e “parandalimit kolektiv”, vetëm dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Egjipti, megjithëse ka deklaruar se po shqyrton seriozisht anëtarësimin, ka zgjedhur të ndjekë një rrugë paralele.

Presidenti Abdel Fattah al-Sisi kërkoi nga parlamenti autorizimin për të ndërmarrë “çdo masë” që mund t’i kërkojë Riadi, ndërsa Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare premtoi të gjitha format e nevojshme dhe të mundshme të mbështetjes.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se trupat egjiptiane do të dërgohen menjëherë në Arabinë Saudite apo në Jemen. Deri tani nuk është bërë publike ndonjë kërkesë saudite për trupa tokësore.

Mbështetja mund të përfshijë shkëmbim informacionesh, këshillim ushtarak, municione, pjesë këmbimi dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Sipas një zyrtari rajonal të cituar nga Associated Press, Egjipti pritet të ndihmojë me sisteme kundërajrore dhe avionë për të përballuar raketat dhe dronët, pa përfshirë forcat tokësore në Jemen.

Al-Sisi e ka bërë të qartë se nuk po flet për luftë apo sulm ndaj ndonjë vendi, por vetëm për mbrojtje. Në një letër drejtuar princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ai përcaktoi se ndihma egjiptiane do të kufizohet te mbrojtja e territorit dhe kufijve të Arabisë Saudite, pa u shtrirë në operacione sulmuese kundër Jemenit.

Për Kajron, sulmet ndaj Arabisë Saudite nuk janë një krizë që mund të vëzhgohet nga distanca. Arsyeja e parë është siguria e Detit të Kuq. Ngushtica e Bab el-Mandebit përbën portën jugore të Kanalit të Suezit, një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave dhe valutës së huaj për Egjiptin.

Tensionet e viteve të fundit kanë goditur rëndë trafikun detar dhe të ardhurat e kanalit. Pas rekordit prej 9.4 miliardë dollarësh në vitin fiskal 2022-2023, të ardhurat ranë ndjeshëm dhe u rikuperuan vetëm në 4.67 miliardë dollarë në vitin e fundit fiskal.

Zgjerimi i pranisë së Huthinjve përgjatë bregdetit jemenas dhe përplasjet pranë ngushticës kërcënojnë sërish këtë rimëkëmbje. Për Egjiptin, liria e lundrimit në Bab el-Mandeb nuk është thjesht çështje tregtare, por një interes i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare.

Faktori i dytë është marrëdhënia ekonomike me Arabinë Saudite. Riadi është një nga mbështetësit kryesorë të ekonomisë egjiptiane.

Gjatë vizitës së Mohammed bin Salman në Kajro në shtator, në qendër të diskutimeve ishte zgjatja e një depozite saudite prej 5.3 miliardë dollarësh dhe një paketë e re investimesh që tejkalon 10 miliardë dollarë.

Megjithatë, marrëdhënia nuk është vetëm e njëanshme. Egjipti ka ushtrinë më të madhe arabe dhe e konsideron sigurinë saudite pjesë të sigurisë së vet dhe të botës arabe.

Pastaj ekziston edhe një arsye historike. Në vitet 1960, Jemeni ishte burim përplasjesh mes Kajros dhe Riadit. Gamal Abdel Nasser mbështeste republikanët, ndërsa Arabia Saudite qëndronte përkrah monarkistëve.

Ndërhyrja egjiptiane në luftën civile të viteve 1962-1967 i kushtoi Kajros shumë ushtarë dhe burime. Ky kujtim shpjegon disi arsyen pse Egjipti sot kërkon të shmangë përfshirjen në një tjetër luftë tokësore në Jemen.

Po pse qëndron jashtë aleancës së Mekës? Sepse anëtarësimi në aleancë do ta detyronte Egjiptin të pranonte një angazhim të përbashkët mbrojtjeje, duke kufizuar lirinë e tij për të përcaktuar kohën dhe shkallën e ndërhyrjes.

Dhe kjo mund të krijonte vështirësi në disa drejtime. Së pari, marrëdhëniet me Turqinë. Dy vendet kanë normalizuar raportet dhe kanë zgjeruar bashkëpunimin ekonomik e politik, por vazhdojnë të kenë dallime për Mesdheun Lindor.

Egjipti nuk njeh marrëveshjen detare Turqi-Libi dhe ka nënshkruar një marrëveshje të pjesshme për zonat ekonomike ekskluzive me Greqinë.

Së dyti, aleanca përfshin Pakistanin, me të cilin Egjipti ka marrëdhënie të mira, por kjo mund të krijojë ndjeshmëri në raportet me Indinë. Kajro dhe Nju Delhi kanë ngritur marrëdhëniet në nivel partneriteti strategjik dhe po thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një mbështetës i rëndësishëm ekonomik i Egjiptit, kanë lidhje të ngushta me Indinë dhe jo gjithmonë ndajnë të njëjtat prioritete me Riadin në Jemen.

Përfshirja në një strukturë të drejtuar nga Arabia Saudite, mund të ndikonte gjithashtu në ekuilibrat e Kajros me Izraelin dhe Iranin, si dhe në marrëdhëniet e saj në Mesdheun Lindor.

Mbështetja e Egjiptit mund të ndryshojë llogaritë e Huthinjve. Deri tani, ata e kanë trajtuar Detin e Kuq si një hapësirë ku veprojnë aktorë të shpërndarë.

Përfshirja e Kajros krijon një front më të koordinuar nga Bab el-Mandebi deri te Kanali i Suezit. Njëkohësisht, afrimi egjiptiano-saudit mund të kufizojë hapësirën e veprimit të Iranit, duke dobësuar rolin e Huthinjve si instrument presioni ndaj Riadit.

Por rreziku është i dyanshëm. Huthinjtë mund të kërcënojnë anijet që shkojnë drejt Kanalit të Suezit ose objektet egjiptiane në bregdetin e Detit të Kuq. Një përshkallëzim i tillë do t’i hapte Kajros një problem të ri sigurie dhe ekonomie.

Në këto kushte, Egjipti ndodhet përballë një zgjedhjeje të vështirë: nuk mund të qëndrojë plotësisht jashtë krizës, por as të nxitojë drejt një aleance që mund t’i kufizojë manovrat diplomatike.

Për momentin, Kajro duket e vendosur të mbështesë Riadin, por vetëm sipas kushteve të veta. Vendimi për t’u përfshirë më tej do të varet nga kërkesat konkrete saudite dhe nga zhvillimet në terren. \tesheshi