Lufta e Tel Avivit në Gaza ka tronditur normat perëndimore dhe ka nxitur reagim global, ndërsa Turqia po shënon një rritje të qëndrueshme gjeopolitike.
Pas sulmeve të 7 tetorit, Izraeli deklaroi para gjithë botës se Hamasi është një “organizatë terroriste” dhe arriti të mobilizojë mediat globale në një shkallë të paprecedentë.
Ka momente në çështjet botërore, rëndësia e të cilave nuk kuptohet menjëherë; ndonjëherë edhe një ngjarje që duket e vogël mund të shërbejë si sinjal për fillimin e një epoke të re.
Para sulmeve të 7 tetorit, Izraeli (ose sionizmi global) kishte arritur kulmin e fuqisë së tij. Që nga themelimi i tij, Izraeli – të paktën në nivel elitash – kishte arritur të mbante në ndikim Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Evropën dhe pothuajse të gjitha shtetet përmes monopoleve financiare dhe mediatike, duke i detyruar shpesh qeveritë të vepronin sipas interesave të tij.
Ekziston një parim interesant në qeverisjen e universit, i njohur nga filozofët, teologët, historianët e religjionit dhe historianët modernë: pushteti absolut i përket vetëm Zotit. Çdo shtet ka një nivel të caktuar fuqie, por ajo fuqi ka kufijtë e saj. Nëse ndikimi i një individi, shteti apo force hegjemone në botë arrin një nivel që i afrohet autoritetit hyjnor, atëherë për atë grup fillojnë të bien kambanat e alarmit. Para sulmeve të 7 tetorit, Izraeli përfaqësonte pikërisht një fuqi të tillë.
Kur nisën sulmet e tetorit, Izraeli i shpalli ato si “casus belli” – pra arsye për luftë. Më pas, ai e nënshtroi popullsinë e Gazës ndaj një fushate të pandërprerë shkatërrimi, të cilën kritikët e kanë krahasuar me gjenocidin e kryer nga Hitleri.
Në kohët moderne, shpesh nuk përmendet mjaftueshëm se Konventat e Gjenevës përcaktojnë zona të mbrojtura gjatë luftës. Civilët, gratë, fëmijët, spitalet, shkollat, kishat dhe xhamitë – me fjalë të tjera hapësirat humanitare – nuk duhet të sulmohen. Në luftë përballen ushtarët me ushtarët.
Por Izraeli nuk u kufizua vetëm në luftimin e militantëve të armatosur si Brigadat Kasam në Gaza. Ai kreu sulme dhe masakra ndaj gjithë popullsisë së Gazës, duke e bërë këtë me vetëdije dhe duke pasur civilët si objektiv.
Në fakt, në vend që të përqendrohemi vetëm te veprimet e Izraelit, ky artikull trajton mënyrën se si Izraeli – që kohët e fundit ka tentuar të paraqitet si rival i Turqisë – po humb gradualisht terren në gjeopolitikën globale, ndërsa Turqia po forcohet me çdo hap që hedh.
Pse Izraeli ka humbur terren
Nëse shtrojmë pyetjen “Pse ka humbur Izraeli?”, përgjigjja e parë është se ai ka shkatërruar shpejt normat që vetë Perëndimi i kishte ndërtuar dhe promovuar globalisht gjatë dy shekujve të fundit – nga periudha koloniale te epoka demokratike dhe sidomos nga viti 1960 deri në sulmet e 11 shtatorit 2001 – norma të tilla si të drejtat e njeriut, të drejtat universale, të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e pacientëve. Ndërkohë, shtetet perëndimore kanë qëndruar të heshtura përballë kësaj shkatërrimi.
Edhe pse në fillim veprimet e Izraelit mund të dukeshin të suksesshme, sulmet ndaj Libanit dhe Iranit, pushtimi i disa zonave në Siri, goditjet në Jemen dhe madje edhe targetimi i Katarit në praktikë nënkuptuan se Izraeli kishte trazuar një “fole grerëzash” në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme. Pas këtyre ofensivave, asnjë shtet në rajon – përfshirë edhe Arabinë Saudite – nuk ndihej më i sigurt.
Në mënyrë domethënëse, debatet për Izraelin depërtuan edhe brenda SHBA-së. Ndërsa dukej sikur Izraeli po e drejtonte Amerikën si të kapte një dem për brirësh dhe ta tërhiqte ku të donte, publiku amerikan filloi të reagojë kundër asaj që e perceptonte si një rrethim izraelit të politikës amerikane.
Tridhjetë vjet më parë, Izraeli festohej në mbarë botën si demokracia e vetme në Lindjen e Mesme – një shtet i zhvilluar, demokratik dhe teknologjikisht i avancuar. Sot, sipas kritikëve, ai reputacion është zbehur. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu krahasohet nga shumë njerëz me Hitlerin, ndërsa shteti izraelit shihet nga një pjesë e madhe e opinionit publik global si një shtet i masakrave dhe gjenocidit.
Në SHBA kanë nisur gjithashtu diskutime jo vetëm për ndikimin aktual të Izraelit dhe rolin e Komitetit Amerikano-Izraelit të Çështjeve Publike (AIPAC), por edhe për pretendimet mbi një histori 50-60-vjeçare të veprimtarive të dyshimta nga shërbimet sekrete Mossad dhe CIA.
Disa nga skandalet më të përfolura kohët e fundit lidhen me pretendime se Mossad dhe CIA kanë ndërthurur aktivitetet e tyre brenda sistemit amerikan dhe elitave perëndimore, duke komprometuar individë, duke i përfshirë në skandale dhe duke i bërë të varur përmes shantazhit – një metodë që kritikët e krahasojnë me praktikat e një organizate mafioze. Me qarkullimin e këtyre informacioneve, debatet rreth Izraelit janë intensifikuar edhe më shumë.
Gjithashtu, Netanjahu së fundmi ka kërcënuar disa shtete evropiane, duke lënë të kuptohet se ato duhet të vazhdojnë të mbrojnë hebrenjtë në mbarë botën, përndryshe mund të përballen me pasoja të rënda.
Turqia në ngritje
Nga ana tjetër, kur merret në konsideratë pozicioni i Turqisë në gjeopolitikën rajonale, është e qartë se për më shumë se dy dekada Turqia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndjekur politika të pavarura: luftën kundër terrorizmit, vendosjen e flotës së saj detare në Mesdheun Lindor, përpjekjet për stabilitetin e Libisë, rolin udhëheqës në bashkëpunim me aktorë globalë për formimin e një strukture shtetërore unitare në Siri dhe hapat vendimtarë në Afrikë pas njohjes së Somalilendit nga Izraeli.
Kur një shtet hyn në një trajektore ngritjeje, çdo hap që ai ndërmerr mund të bëhet i qëndrueshëm, i fortë dhe nxitës për rritje.
Në reagim ndaj politikave agresive të Izraelit, Turqia, Arabia Saudite, Egjipti dhe madje edhe Pakistani kanë treguar një afrimitet në rritje – fillimisht në formën e një aleance psikologjike. Ky afrimitet mund të prodhojë pasoja të jashtëzakonshme, si në formësimin e Afrikës, ashtu edhe në ridizajnimin e arkitekturës së sigurisë në Lindjen e Mesme.
Në vitet e mëparshme, Izraeli kërkonte të forconte marrëdhëniet me vendet e Lindjes së Mesme, duke vendosur Iranin si armikun kryesor. Armiqësia e Izraelit ndaj Iranit dukej se gjente mirëkuptim edhe te disa shtete të rajonit.
Sot, megjithatë, veprimet e Izraelit nuk shihen më me simpati nga miliarda njerëz në rrugët e SHBA-së, Evropës apo Lindjes së Mesme.
Kështu funksionon fati: ndërsa i hap rrugën ngritjes së një kombi, ai krijon kushtet për rënien e një tjetri.
Falë më shumë se dy dekadave politikash të menduara dhe strategjike, Turqia ka fituar respekt në rritje mes kombeve. Një mision historik i fortë, infrastrukturë solide, zhvillim i vazhdueshëm dhe një industri mbrojtëse e fuqishme – një kombinim kaq i gjerë forcash rrallë gjendet në një vend të vetëm.
Ndërsa Turqia ngrihet hap pas hapi, Izraeli – pasi e ka vendosur veten në pozicionin e Zotit – po humbet terren. Dhe ky është gjithashtu fati.
Autori İhsan Aktaş është kryetar i bordit të Kompanisë Kërkimore GENAR. Ai është gjithashtu akademik në Departamentin e Komunikimit në Universitetin Medipol të Stambollit.
Nga Daily Sabah – Mesazhi.com







