Ballina Sport Futboll Jashari flet për triumfin ndaj Lecces dhe Modriqin

Jashari flet për triumfin ndaj Lecces dhe Modriqin

Mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, luajti 87 minuta në ndeshjen ndaj Lecces të dielën mbrëma.

Milani në kuadër të javës së 21-të të Serie A e mposhti Leccen me rezultatin 1:0.

Ishte paraqitja e dytë si startues për Jasharin në kampionatin italian.

Reprezentuesi i Zvicrës kishte paraqitje pozitive ndaj Lecces.

Ai në një intervistë për “DAZN” e komentoi fitoren. Mesfushori shqiptar u shpreh i lumtur për paraqitjen e tij.

“Jam i lumtur që kam filluar nga minuta e parë dhe që e kam ndihmuar ekipin. Gjëja e rëndësishme ishin tri pikët, le të vazhdojmë kështu. Jam i lumtur edhe për Niclas Fullkrugun dhe golin e tij të parë. Unë bëjë atë që më kërkon trajneri. Ajo që ka rëndësi është që bashkëlojtarët t’i kuptojnë karakteristikat e mia. Trajneri më kërkoi të luaja si numër gjashtë dhe është e rëndësishme që ky mesazh të përçohet edhe te pjesa tjetër e ekipit”, ka theksuar Jashari.

23-vjeçari ka folur edhe për marrëdhëniet me ikonën kroate, Luka Modriq.

“Është një dhuratë për mua të luaj me një lojtar të tillë. Ai është person i jashtëzakonshëm jashtë fushës dhe një lojtar i pabesueshëm. Është fantastike, jo vetëm për mua, por për të gjithë ekipin. Po e shijoj çdo moment dhe shpresoj të luaj më shumë minuta përkrah tij”, u shpreh Jashari.

Jashari iu bashkua “Kuqezinjve” verën e kaluar nga Club Brugge për 36 milionë euro.

Ai në fillim të edicionit kishte telashe me lëndim. Ka filluar që të kthehet në formën më të mirë fizike.