Javier Milei fiton zgjedhjet në Argjentinë, zotohet për ndryshime rrënjësore

Javier Milei

Populisti krahut të djathtë, Javier Milei, i ka fituar zgjedhjet presidenciale në Argjentinë të dielën, pas një fushate tejet polarizuese gjatë të cilës premtoi një ndryshim rrënjësor të shtetit për t’u përballur me inflacionin e madh dhe rritjen e varfërisë.

Kur janë numëruar tashmë 99.4 për qind të votave në balotazhin presidencial, Milei i ka fituar 55.7 për qind të tyre, ndërsa ministri i Ekonomisë, Sergio Massa, 44.3 për qind, sipas Komisionit Zgjedhor të Argjentinës.

Kjo është përqindja më e madhe e votave të fituara nga një kandidat presidencial prej se vendi i Amerikës Jugore iu rikthye demokracisë më 1983.

Në rrugët e Buenos Aires, shumë njerëz dolën për të festuar nëpër lagje të ndryshme.
Milei, një anarko-kapitalist i vetëshpallur që është krahasuar me ish-presidentin amerikan Donald Trump, tha pas fitores së “rindërtimi i Argjentinës fillon sot”.

“Argjentina është në gjendje kritike. Ndryshimet për të cilat ka nevojë vendi ynë janë rrënjësore. Nuk kemi kohë për t’u ngadalësuar. Nuk ka vend për masa të vakëta”, tha Milei.

Massa, nga partia në pushtet Peronist, e ka pranuar disfatën tashmë, duke thënë se argjentinasit “zgjodhën një rrugë tjetër”.

“Duke nisur nga nesër… garantimi i funksionimit politik, social dhe ekonomik është përgjegjësi e presidentit të ri. Shpresoj se ai do ta bëjë”, tha Massa.

Inflacioni në Argjentinë është rritur mbi 140 për qind dhe varfëria është përkeqësuar në kohë sa Massa ka qenë në pushtet.

Milei ka thënë se do ta zvogëlojë stafin e Qeverisë, do të fillojë ta përdorë dollarin si monedhë dhe do ta zhbëjë Bankën Qendrore, në mënyrë që ta luftojë inflacionin për të cilin i fajëson qeveritë e kaluara që kanë printuar para pa menduar vetëm për t’i financuar shpenzimet publike.

Ai tha, po ashtu, se i përkrah edhe disa politika konservatore sociale, përfshirë kundërshtimin e edukimit seksual në shkolla dhe abortin, të cilat Kongresi i Argjentinës i bëri të ligjshme më 2020. /rel