Jeep-i më i vogël dhe më i lirë, largohet nga një treg i rëndësishëm

Sipas Automotive News, Jeep Renegade është “i vdekur” në SHBA. Prodhuesi po tërheq veturën më të vogël në pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut, kështu që tani modeli bazë i markës në tregun amerikan është Compass pak më i shtrenjtë, me një çmim fillestar prej 30 mijë dollarësh.

Zëdhënësi i kompanisë Jeep konfirmoi largimin e modelit Renegade, sipas të njëjtit burim.

Kompania mëmë Stellantis thotë se do të vazhdojë të ofrojë Renegade në Meksikë, Evropë dhe tregje të tjera.

Jeep lansoi SUV-në e tij më të vogël në vitin 2015, kurse Renegade ndan një platformë mekanike me Fiat 500X.

Vendimi për të hequr dorë nga Renegade në SHBA dhe Kanada, vjen pas disa vitesh radhazi rënieje të shitjeve.

Më së shumti dërgesa për klientët ishin në vitin 2016, pak më shumë se 106,000 njësi, por që atëherë numri i njësive të shitura ka ardhur duke u zvogëluar nga viti në vit.

Jeep shiti vetëm 27,549 nga këto SUV të vogla në 2022, nga 47,137 një vit më parë.

Shitjet e Renegade janë ulur 35 për qind gjatë nëntë muajve të parë të 2023, dhe prodhuesi i automjeteve pritet ta mbyllë vitin me rreth 21,000 njësi të dorëzuara në Amerikën e Veriut.

Jeep Compass Sport 2024, është tani modeli më i lirë në linjë në SHBA, me një çmim prej 29,995 dollarë.

Ky version ka një motor 2-litërsh turbo me katër cilindra që prodhon 200 kuaj fuqi. Ka ndërrues automatike me tetë shpejtësi.

Renegade aktualisht është pak më i lirë, duke filluar nga 29,445 dollarë, me 1.3 litra me benzinë.