Jemen, jeta e gjysmë milioni fëmijëve në rrezik për shkak të kequshqyerjes

Përfaqësuesi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Jemen, Peter Hawkins, njoftoi se 2,2 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeç kanë nevojë për trajtim për shkak të kequshqyerjes në Jemen, ku lufta civile vazhdon prej vitesh, dhe se gjysmë milioni prej tyre janë në rrezik.

Në Jemen, i cili ka qenë skena e përleshjeve të dhunshme midis rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani dhe forcave qeveritare të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite për gati 8 vjet, uria dhe kequshqyerja po përhapen dita-ditës me varfërinë në rritje. Në një vend të shkatërruar nga lufta civile, uria dhe mjerimi, fëmijët po vdesin dalëngadalë para syve të prindërve të tyre.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), të dhënat për kequshqyerjen në vend janë alarmante. Rastet janë veçanërisht të përqendruara në Taiz, Hajjah dhe Hodeida.

Në një deklaratë muajin e kaluar, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Jemen theksoi se kequshqyerja akute kërcënon jetën e fëmijëve nën moshën 5-vjeç dhe se nevojitet ndërhyrje urgjente.

2 në 5 fëmijë kanë nevojë për trajtim për shkak të kequshqyerjes

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Jemen, Peter Hawkins, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) foli mbi të dhënat e fundit mbi kequshqyerjen në Jemen.

“Në Jemen, 2,2 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeç, domethënë 2 në 5 fëmijë, kanë nevojë për trajtim për kequshqyerjen. Gjysmë milioni prej tyre janë në rrezik nga kequshqyerja akute”, tha Hawkins.

“Nëse nuk trajtohen, nuk do të mund të hanë”

Hawkins paralajmëroi se fëmijët që nuk mund të trajtohen sa më shpejt për shkak të kequshqyerjes akute nuk do të kenë fuqi për të ngrënë dhe mund të vdesin brenda një kohe të shkurtër.

Duke thënë se kequshqyerja dëmton zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve, veçanërisht në 2 vitet e para pas lindjes, Hawkins tha se edhe nëse trajtohen, efektet e kësaj janë kryesisht të pakthyeshme.

Njerëzit janë kryesisht të varur nga ndihma humanitare

Ai tha se arsyeja kryesore për humbjen e sigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes në Jemen është “lufta civile”. Hawkins gjithashtu tha se kufizimet e vendosura në porte shkaktuan një mungesë serioze të karburantit, gjë që shkaktoi rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe jo-ushqimorë.

Hawkins theksoi se konfliktet shkaktuan një rritje të migrimit të brendshëm dhe ndërprerjen e shërbimit publik.

Duke thënë se problemet ekonomike ulin fuqinë blerëse të familjeve, Hawkins theksoi se të gjitha këto çojnë në kequshqyerjen e fëmijëve.

Duke theksuar se jemenasit jetojnë kryesisht me ndihmën bazë humanitare, Hawkins potencoi se fëmijët nuk mund të ushqehen siç duhet dhe paralajmëroi se kjo situatë do të shkaktojë më shumë raste të kequshqyerjes akute.

Lufta civile dhe kriza humanitare në Jemen

Në Jemen, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone që nga shtatori 2014. Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Houthive që nga marsi i vitit 2015.

Rreth 377 mijë persona humbën jetën në konfliktet që vijojnë prej vitesh në vend.

Kriza humanitare për shkak të luftës civile në Jemen, që është ndër vendet më të varfra në botë, po bëhet më e madhe dita-ditës.