Johansson: 15 vende të BE-së do të presin 40.000 afganë

Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme dha një konferencë për shtyp pas takimit me ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së.

Pesëmbëdhjetë vende anëtare të BE-së do të presin 40.000 afganë, tha Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

“Ky vendim është një akt impresionues solidariteti,” tha Johansson dhe shtoi: “Në të njëjtën kohë, ky është një hap drejt parandalimit të migracionit të paligjshëm dhe promovimit të hyrjes legale në BE”.

Ajo i shqiptoi emrat e 15 shteteve që do të mirëpresin 40.000 afganë.

Duke iu referuar “mekanizmit të detyrueshëm të solidaritetit”, një nga elementët e paketës së re të BE-së për migracionin Johansson deklaroi:

“Në paketë ne propozojmë një mekanizëm, në të cilin anëtarët duhet të kontribuojnë në varësi të fuqisë dhe madhësisë së tyre. Në këtë kuadër, pritja e emigrantëve nuk është e detyrueshme, por është e detyrueshme të jepet një kontribut thelbësor në varësi të forcës dhe madhësisë”.

Komisionerja Evropiane për Punë të Brendshme shtoi se Franca, e cila do të marrë Presidencën e BE-së nga Sllovenia në fillim të vitit, është e gatshme të vërë në punë këtë mekanizëm.