Jordania do të blejë ujë në sasi prej 50 milionë metrash kub nga Izraeli

Jordania dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje sipas së cilës Amani zyrtar do të blejë 50 milionë metra kub ujë nga Tel Avivi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja e ujit është një shumë shtesë ndaj asaj që ishte përcaktuar në marrëveshjen e paqes të nënshkruar midis dy vendeve në vitin 1994.

“U nënshkrua një marrëveshje sipas së cilës Jordania do të blejë sasi shtesë të ujit në vlerë prej 50 milionë metra kub jashtë kuadrit të marrëveshjes së paqes dhe sasive të përcaktuara në marrëveshje”, njoftoi televizioni shtetëror Al-Mamlaka, duke cituar burime anonime në Ministrinë e Ujit të Jordanisë.

Burimet vunë në dukje se komitetet teknike të specializuara nga të dyja palët u takuan në prani të ministrave të ujit të të dy vendeve, duke mos e përmendur vendin e takimit.

Jordania dhe Izraeli ende nuk kanë bërë deklarata zyrtare mbi marrëveshjen. Sipas indeksit global të ujit, Jordania aktualisht qëndron e dyta në listën e vendeve më të varfra në botë me ujë.

Në korrik, pas një takimi të Ministrave të Jashtëm, Amani dhe Tel Avivi njoftuan se kishin arritur një marrëveshje sipas së cilës Izraeli do të shiste 50 milionë metra kub ujë shtesë në vit te fqinji i saj.

Sipas gazetës The Jerusalem Post, Jordania ka pesë vjet që kërkon një furnizim vjetor të ujit prej 50 milionë metrash kub.

Marrëdhëniet midis Amanit dhe Tel Avivit kanë qenë të ftohta gjatë epokës së ish-kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. /aa