Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet më të plota qofshin mbi hazretin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
Vëllezër të nderuar!
Dinjteti i besimtarit buron nga dinjteti i Allahut – të Fuqishmit, të Plotfuqishmit – dhe dinjteti i tij vazhdon me vazhdimësinë e Allahut dhe mbetet me përjetësinë e Tij. Atë nuk mund ta përulë civilizimi i prapambetur, as regresi shkencor e as ai material. Umeti musliman është i nderuar, pavarësisht rrethanave, nëse ai është i sinqertë në besimin dhe të qenurit rob ndaj Allahut të Lartësuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë”
Ndalimi i umetit për të ndjekur dhe pasuar metodologjitë e huaja
Vëllezër të nderuar!
Për ta forcuar këtë dinjitet të umetit musliman, Allahu e ka ndaluar këtë umet që të pasojë jobesimtarët dhe popujt e tjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos i pasoni dëshirat e tyre duke u larguar nga e vërteta që të ka ardhur.” Dhe në një ajet tjetër thotë: “O Profet! Ki frikë Allahun dhe mos iu bind jobesimtarëve e hipokritëve. Vërtet Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”
Vëllezër!
Imitimi i jobesimtarëve dhe ngjashmëria me ta është një nga format më të rënda të bindjes ndaj tyre, dhe për këtë na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut (a.s) në shumë hadithe, prej tyre:
1 – I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që i ngjan të tjerëve përveç nesh. Mos u ngjasoni hebrenjve dhe të krishterëve, sepse përshëndetja e hebrenjve është me shenjë gishtash, ndërsa e të krishterëve me shuplaka.”[1]
2 – I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i ngjan një populli, ai është prej tyre.”[2]
3 – Profeti (a.s) ka thënë: “Kundërshtoni idhujtarët: lërini mjekrat të rriten dhe shkurtoni mustaqet.”[3]
Ju do të ndiqni rrugën e atyre që ishin para jush
Vëllezër të nderuar!
Nga çështjet e fshehta (gajbit) për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut (a.s) – dhe që do të ndodhin para Ditës së Kiametit – është se çdo gjë që ka ndodhur te popujt e mëparshëm do të ndodhë edhe në këtë umet, umeti musliman do të ndjekë hap pas hapi të njëjtën udhë e rrugë në të cilin ecin edhe popujt e tjerë.
Në një hadith Profeti (a.s) ka thënë: “Ju do të ndiqni rrugën e atyre që ishin para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu, saqë edhe sikur të hynin në vrimën e hardhucës, ju do të hynit pas tyre. Ne thamë: O i Dërguar i Allahut, hebrenjtë dhe të krishterët? Ai tha: Po kush tjetër?!”[4]
Profeti (a.s) gjithashtu ka thënë: “Nuk do të vijë Kiameti derisa umeti im të ndjekë plotësisht rrugën e brezave para tij, pëllëmbë pas pëllëmbe dhe krah pas krahu. U tha: Persia dhe Roma? Ai tha: Po kush janë njerëzit tjetër përveç tyre?!”[5]
Po ashtu Profeti (a.s) ka thënë: “Do t’i ndodhë umetit tim ajo që i ndodhi bijve të Israilit, njësoj si këpuca me këpucën; madje, edhe sikur dikush prej tyre të kishte kryer marrëdhënie me nënën e tij haptazi, do të kishte në umet tim dikë që do ta bënte këtë. Bijtë e Israilit u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe, ndërsa umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, të gjitha janë në zjarr përveç njërit. U pyet: Cili është ai (grup i shpëtuar), o i Dërguar i Allahut? Ai tha: Ai që është në atë rrugë në të cilën jam unë dhe shokët e mi.”[6]
Përfundim
Vëllezër të nderuar!
Ngjashmëria me zullumqarët në aparencë lind dashuri dhe miqësi në brendësi, ashtu siç dashuria e brendshme sjell ngjashmëri në pamje. Ndërsa miqësia dhe mbështetja ndaj zullumqarëve bien ndesh me besimin. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos i merrni hebrenjtë dhe të krishterët për miq; ata janë miq të njëri-tjetrit. Kush prej jush i merr për miq, ai është prej tyre.”
Besimtarët e përkushtuar janë njerëzit më të udhëzuar, më të drejtë në rrugë dhe më të rregullt në sjellje, dhe Allahu i ka bërë dëshmitarë mbi njerëzimin.
Si mund të përputhet kjo me faktin që besimtarët të jenë ndjekës të çdo thirrësi e propaganduesi, duke i imituar të tjerët në zakone, festa dhe tradita?!
Prandaj kishte të drejtë Omeri (r.a.) kur tha: “Ne jemi një popull që Allahu na e dha dinjitetin me Islamin; sa herë që e kërkojmë dinjitetin diku tjetër, Allahu na poshtëron.”
O Allah! Na jep dinjitet me Islamin dhe bëje Islamin të nderuar me ne. Amin.
Paqja dhe bekimet qofshin mbi hazreti Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij. Falënderimi i takon
Allahut, Zotit të botëve.
Autor: Ahmed Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Tirmidhiu.
[2] – Ebu Daudi.
[3] – Buhariu.
[4] – Buhariu.
[5] – Buhariu.
[6] – Tirmidhiu.







