Kamber Nexhipi (1908-1977), ballisti që ndërroi jetë në Turqi

Nuridin Ahmeti

Kapiten Ali Riza kishte kontakte të ngushta edhe me dy luftëtarë të dalluar të kohës , të cilët vepronin ne rajonin e Prizrenit, si: Njazi Alishanin dhe Muharrem Bajraktarin e Lumës. Është e natyrshme që edhe Kamberi, si ndihmës i Ali Rizait, të ketë pasur kontakte me këta dy luftëtarë.

Shkruan: Nuridin AHMETI

Njëri ndër luftëtarët më besnikë të nacionalizmit shqiptar në rajonin e Prizrenit ishte pa dyshim, edhe Kamber Brruti-Opoja. Mbiemri i Tij i vërtetë ishte Nexhipi dhe kjo vërehet më së miri nga dokumentet arkivore dhe literatura që e kemi. Mbiemrin Brruti e mori sipas fshatit të lindjes Brrut (fshat në trevën e Opojës), kurse mbiemrin Opoja e mori sipas krahinës prej nga vinte, d.m.th Opojës.
Kamber Brruti–Opoja u lind në fshatin Brrut të Opojës, komuna e Sharrit, në vitin 1908, nga i ati Nexhipi dhe nëna Sadberja. Është rritur si djalë hasreti. I ati i vdes disa ditë para se ai të lindte, ashtu që ka jetuar me të ëmën dhe motrat. Qysh në rini, për të mbijetuar, ai ka filluar të merrej me tregti, në relacionet Opojë-Tetovë dhe Opojë-Prizren. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore ai fillon kontaktet me Prizrenin, me njerëzit e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Nga mesi i majit të 1945 ishte themeluar komiteti i rretheve të Sharrit (të Prizrenit), Opojës, Rahovecit, Suharekës e kështu më radhë. Po në këtë kohë nga Komiteti i ONDSH-së në Prizren do të merret vendim që Komitetin Komunal të Gorës ta themelojë Kamber Nexhipi nga fshati Brrut. Studiuesja e njohur e ONDSH-së, Sabile Keçmezi – Basha, mendon se vendimi është marrë për riaktivizimin e komitetit në Dragash, me ç’rast është vendosur që Kamber Nexhipi të merret më këtë çështje. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u arrit për shkak se armiku i kishte rënë në gjurmë. Në këtë kohë Kamber Nexhipin e gjejmë si ndihmës të kapitenit Ali Rizaj nga Shqipëria. Po në këtë kohë Kamber Nexhipi na del si njeri që mbante lidhje me Komitetin e Prizrenit, por që nuk ishte dënuar nga gjykata. Kamber Nexhipi, si njeri i besueshëm i kapiten Ali Rizajt, do të ngarkohet që të mbante lidhjet me njerëzit e Komitetit që vepronin në qytetin e Prizrenit dhe me ata luftëtarë që bënin rezistencë ne rajonin e Vërrinit e të Opojës. Përveç informatave të ndryshme, që ua transmetonte luftëtarëve në male, ai ua sillte edhe ushqimin e municionin që e merrte nga anëtarët e Komitetit që vepronin në qytetin e Prizrenit. Se ishte një luftëtar besnik dhe se ishte i ngarkuar nga Komiteti i NDSH-së në Prizren për furnizim me armë dhe gjëra ushqimore për luftëtarët që ishin në mal, këtë konstatim na vërteton edhe nipi i Kamber Nexhipit (djali i motrës së Kamberit), Hazer Ramadani.

Luftëtar në Çetën e Njazi Alishanit të Prizrenit

Kapiten Ali Riza kishte kontakte të ngushta edhe me dy luftëtarë të dalluar të kohës , të cilët vepronin ne rajonin e Prizrenit, si: Njazi Alishanin dhe Muharrem Bajraktarin e Lumës. Është e natyrshme që edhe Kamberi, si ndihmës i Ali Rizait, të ketë pasur kontakte me këta dy luftëtarë. Njëri nga luftëtarët në Çetën e Njazi Alishanit, Bajram Cukovci, deklaronte: ”Pak ditë pasi qëndruam në malet e rajonit të Opojës, u takum edhe me Grupin e Njazi Alishanit. Ai ishte vetë i shtati mashkull nga familja Alishani të Prizrenit. Me ta ishin edhe një Riza Kapiteni nga Shqipëria, Reshat Efendiu nga Prizreni, Destan Billusha, Kamber Brruti dhe disa të tjerë. Kështu u bëmë 30 luftëtarë”. Kamber Nexhipi, me forca të tjera nacionaliste, të udhëhequra nga kapiten Ali Riza, qëndrojnë në male të Opojës dhe në Vërri. Ata, në fillim të tetorit të vitit 1944, zhvilluan luftime kundër një brigade partizane në Rudina (vend në mes të fshatit Xërxë dhe Kosavë të Opojës, N.A.), me ç’rast vritet Latif Kola, komandant i brigadës së 7 Nacional Çlirimtare nga Shqipëria, të cilët u kishin ardhur në ndihmë partizanëve në Kosovë. Në mars të vitit 1945 kishin zhvilluar luftime në Billush, në të cilat ra heroikisht edhe Sali Spahia nga fshati Brrut, ndërkaq në maj të vitit 1945 zhvillohen luftime të rrepta te Guri i Zi. Në këto beteja u dallua edhe nacionalisti i njohur nga fshati Zgatar, Shefik Halili (1880-1980), me dy djemtë e tij: Beqir Shefik Halilin (1918-1984) dhe Avdi Shefik Halilin(1922-2001). Në Opojë kishte edhe shumë nacionalistëtë tjerë, sepse, siç duket, terreni ishte shumë i përshtatshëm për të zhvilluar luftime, për t’u strehuar etj. Një kontribut të çmueshëm në luftimet e trevës së Opojës e dha edhe Muharrem Bajraktari, për të cilin Bajram Cukovci, njëri nga pjesëmarrësit në këto ngjarje, kujton: ”Pas Kuvendit të Doberdolit çetat u shpërndanë në rajonet e tyre, mirëpo ka fundi i gushtit prapë jemi bashkuar në Grykën e Garacevës së Ponorcit, një vend mjaft i përshtatshëm për luftëra dhe qëndrime më të sigurta, kryesisht me komandantë të çetave. Pas kësaj mbledhjeje të rëndësishme, Ukë Sadiku kishte marrë një letër nga një i dërguar nga Muharrem Bajraktari, i cili kërkonte të takohej në malet e Opojës. Uka ia ktheu përgjigjen se do të shkonte dhe të takohej në vendin dhe në orën e caktuar. Edhe pse ne arritëm në krye me Ukë Sadikun në malet Opojës, në vendin e caktuar për t’u takuar me Muharrem Bajraktarin, aty nuk e gjetëm Muharrem Bajraktarin, sepse ato ditë Malet e Sharrit ishin të mbushura përlot me partizanë-çetnikë.”

Largimi i Kamber Nexhipit me shokë

Pas kapitullimit të Gjermanisë dhe pranimit të Jugosllavisë nga forcat e koalicionit, këtij grupi (grupit të Njazi Alishanit – N.A.) i ngushtohet rrethi i veprimit, andaj edhe detyrohen të shpërndahen. Në këtë mënyrë Kamber Nexhipit nuk i mbeti rrugë tjetër, pos ilegaliteti.
Nipi i Kamberit, Hazer Ramadani, për largimin e dajës nga Opoja thotë: “Në vitin 1946, T.H., nga Opoja, punëtor në stacionin e policisë në Dragash, e merr në dorëzan (jep garanci – N. A.) Kamberin dhe e dërgon në stacionin e policisë në Dragash. Me të arritur në stacionin e policisë në Dragash, policia menjëherë e nis Kamberin për Prizren, kurse T. H. e kupton se policia e kishte tradhtuar. Gjatë rrugës për në Prizren Kamberi duarlidhur, i shoqëruar me dy policë, do të ndalojnë për pushim në një han në fshatin Hoçë të Vërrinit. Kamberi kërkon prej policisë leje, gjoja për nevoja fiziologjike dhe ikën me vrap nga policët që e shoqëronin. Po atë ditë kthehet në mbrëmje në shtëpi, përshëndetet më familjen dhe shkon te daja i tij, Mustafë Koçinaj, në Vërmicë. Me ndihmën e dajës së tij kalon nga Vërmica në Ujmish të Kukësit, ku takohet më Muharrem Bajraktarin dhe së bashku me grupin e Muharrem Bajraktarit nisen për Greqi.” Më 25 gusht të vitit 1946 grupi i Muharrem Bajraktarit vendosin për të shkuar ne Greqi. Grupit i printe vetë Muharrem Bajraktari, ndërsa në të ishin 56 veta. Në mesin e këtyre burrave ishte edhe Kamber Opoja. Ky grup niset në rrugë të gjatë e me plot sakrifica, duke kaluar në këmbë Bjeshkët e Sharrit, nëpër Shishtavec, Gostivar, Resnje (Manastir), për të arritur në fund në Malet e Pelisterit të Maqedonisë së Veriut dhe pastaj kalojnë në Greqi. Udhëtimi nga vendi i quajtur ”Lera e Sorrave” (vendi ku u mor vendim nga grupi që të niseshin për në Greqi) e deri në Greqi zgjati 18 ditë. Në këtë udhëtim, nga grupi, u vranë 21 veta. Gjatë këtij udhëtimi të lodhshëm, grupi u ndesh disa herë me partizanët. Megjithatë, luftimet më të ashpra u zhvilluan te vendi i quajtur Muzdaqe (vend në bjeshkët e Maqedonisë së Veriut, afër kufirit me Shqipërinë – N.A.). Sipas dëshmitarëve të kohës, “Muharrem Bajraktari, kur arriti në Muzdaqe, në stanin e deleve ku ishim ne, ishte vet i treti, kurse shokët tjerë i kishte lënë si roja derisa ne ta përgatisnim bukën për grupin e Muharrem Bajraktarit. Kur iu afrova që t’i shërbeja, Muharrem Bajraktari më pyeti se prej nga jam? Unë i thashë se jam nga Opoja. Më pyeti nëse e njihja Kamber Opojën? I thashë se veç zërin ia kisha dëgjuar, kurse nuk e njihja. Atëherë me tha se ky është Kamber Opoja, këtë burrë e ka Opoja. Sa ra terri, partizanët iu kishin rënë në gjurmë dhe filluan t’i sulmojnë. Menjëherë filluan të shkrepin automatikët dhe njerëzit u shpërndanë. Kur zbardhi drita, e pamë se dy veta kishin mbetur të vrarë. Ata dy persona për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i varrosim.”
Pas një udhëtimi të lodhshëm, grupi arrin në Greqi, por pa 21 shokët e vrarë gjatë rrugës. Në mesin e atyre qe mbërritën gjallë në Greqi ishte edhe Kamber Nexhipi, i cili më vonë kalon në Stamboll, ku edhe vdes, më 26 prill të vitit 1977.

Familja e Kamber Nexhipit

Kamberi ishte i martuar me Xhylshahin, e cila ishte nga fshati Blac. Me Xhylshahin kishte një djalë dhe tri vajza: Rrystemin, Nurien, Naziren dhe Hysnien. Nazirja ka ndërruar jetë në fshatin Brrut, si beqare. Prej fëmijëve të Xhylshahit është gjallë vetëm Hysnija, e bija e vogël e Kamberit. Familja, e cila jetonte në Opojë, i bashkohet Kamberit më 1957.
Vlen të ceket se me largimin e Kamberit nga Opoja për në Greqi dhe më pas për Turqi, Kamberi, siç duket, nuk kishte shpresë se do të bashkohet më familjen, ndaj martohet në Turqi, nga e cila martesë kishte një djalë – Enverin, i cili jeton ende në Stamboll. Por, edhe kur u bashkuan, dy gratë jetuan bashkërisht dhe në harmoni.

Përfundim

Kamber Nexhipi ishte dhe mbeti, derisa ndërroi jetë, luftëtar besnik i nacionalizmit shqiptar. Ai u dallua për besnikëri, sidomos në aspektin e logjistikës. Ishte ndër njerëzit më të besueshëm të kapiten Ali Rizait. Puna, trimëria, bujaria etj. bënë që edhe sot e kësaj dite në trevën e Opojës të kujtohet për të mirë nga të moshuarit e kësaj treve.
Puna e tij e palodhshme, kushtuar çështjes kombëtare, në veçanti në rajonin e Prizrenit, bëri që strukturat komunale të Prizrenit, pas luftës çlirimtare të vitit 1999, një rruge në Prizren t’ia vënë emrin e Kamber Opojës. Megjithatë, ai ndërroi jetë me zemër “të thyer”, sepse nuk arriti të kthehej edhe një herë që ta shihte vendin ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe ku e bëri aktivitetin e tij në të mirë të çështjes kombëtare. /shenja