Kamberi pas fitores: Sa herë që hyja në ring, gjysma e audiencës ishte aq e ekzaltuar për të më parë të vrarë

Shaip Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), njëherësh edhe bartës i litës i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, ka arritur të sigurojë edhe një mandat në Kuvendin e Serbisë.
Ai ka thënë se nga rezultatet që disponojnë kanë fituar rreth 11 mijë e 500 vota, por thotë se në bazë shumimit për pakicave, do të kenë mbi 13 mijë, që thotë se janë të mjaftueshme për ta fituar një mandat.

Pas kësaj arritjeje, Kamberi ka vendosur që me një thënie të boksierit Muhamed Ali t’i godasë ata që ishin kundër gjatë gjithë kohës.

“Sa herë që hyja në ring, të paktën gjysma e audiencës ishte aq e ekzaltuar për të më parë të vrarë. Ata brohoritnin, bërtisnin dhe shkelmonin për çdo grusht me të cilin më godiste një kundërshtar. Aq shumë saqë u bënë histerikë kur i zhgënjeva ato ëndrra dhe shpresa (Muhamed Ali)”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ka arritur që të mbledh rreth 12 mijë vota në zgjedhjet e së dielës që u mbajtën në Serbi.

Kurse lista “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, që kishte si kandidat Visar Mehmetin, që vjen nga partia e Shqiprim Arifit, ka arritur që t’i mbledh vetëm 1.400 vota.
Theksojmë se ky është mandati i tretë i Kamberit në Parlamentin e Serbisë. Ai për herë të parë është zgjedhur deputet në vitin 2014 deri në vitin 2016. Më pas në zgjedhjet komunale të vitit 2016, ai u zgjodh kryetar i Komunës së Bujanocit ku shërbeu për katër vjet.

Por përsëri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Serbisë dhe për tre vjet radhazi, Kamberi ka qenë mjaft i zëshëm në parlamentin serb për shkeljet dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Me fitoren e djeshme (17 dhjetor 2023), Shaip Kamberi ka arritur që për herë të tretë ta sigurojë edhe një ulëse në Kuvendin e Serbisë. /zëri