Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka vlerësuar se zhvillimi i stërvitjeve ushtarake nga Serbia në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Kosovën, paraqet një çështje me rëndësi për sigurinë në rajon.
Në një reagim publik në Facebook, Kamberi ka theksuar se aktivitete të tilla, sidomos kur zhvillohen afër zonave të banuara dhe përfshijnë kapacitete ajrore, ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e sigurisë së komuniteteve lokale, në veçanti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sipas tij, në kontekstin e përgjithshëm të sigurisë rajonale, këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që rrisin tensionet dhe ulin besimin ndërmjet aktorëve lokalë.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka nënvizuar se roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të nxitur dialog konstruktiv, transparencë dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese.
Më tej, Kamberi ka theksuar rëndësinë e respektimit të normave ndërkombëtare dhe forcimit të mekanizmave për parandalimin e krizave, duke shtuar se rritja e pranisë së KFOR është thelbësore.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që NATO të shqyrtojë rishikimin e vendimit për Zonën Tokësore të Sigurisë, duke përmendur si arsye provokimet e vazhdueshme të udhëheqjes serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar këto stërvitje si tepër shqetësuese.
Kurti ka deklaruar se Serbia po përdor ushtrinë si mjet presioni për të mbajtur rajonin në tension të vazhdueshëm, duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë ndaj, siç e ka quajtur ai, një qasje destabilizuese.
Sipas tij, prezenca e shtuar e ushtrisë serbe pranë kufirit nuk është vetëm një demonstrim force, por edhe një përpjekje për të frikësuar popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila, sipas tij, përballet prej vitesh me diskriminim dhe presione të vazhdueshme.








