Kamil Idris u betua si kryeministër i ri i Sudanit të shtunën në prani të kreut të Këshillit të Sovranitetit, Abdel Fattah al-Burhan, raportoi Anadolu.
Më 19 maj, al-Burhan lëshoi një dekret kushtetues për emërimin e Idrisit në këtë post.
Sipas agjencisë shtetërore sudaneze të lajmeve SUNA, Idris dha betimin përpara al-Burhanit, të shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Sovran, Gjeneral Leitnant Mohamed Al-Ghali Ali Youssef, dhe kreu i gjyqësorit në shtetin e Detit të Kuq, i cili përfaqësoi Kryegjykatësin.
Idris është politikan me doktoraturë në të drejtën ndërkombëtare nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Gjenevës, Zvicër. Ai ka qenë gjithashtu kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2010.
Para emërimit të Idrisit, ambasadori i Sudanit në Arabinë Saudite, Dafallah Al-Haj Youssef, mbante pozitat e ministrit për Çështjet e Kabinetit dhe kryeministër në detyrë.
Al-Burhan formoi një qeveri kalimtare në prill 2019 pas një grushti shteti ushtarak që rrëzoi presidentin Omar al-Bashir. Këshilli i Sovranitetit Kalimtar mori drejtimin në gusht të atij viti, ndërsa Këshilli Sovran mori pushtetin në nëntor 2021.
Që nga 15 prilli 2023, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup paramilitar, janë në luftë me ushtrinë për kontrollin e vendit, duke shkaktuar mijëra viktima dhe një nga krizat më të rënda humanitare në botë.
Më shumë se 20 mijë persona janë vrarë dhe mbi 15 milionë janë zhvendosur, sipas OKB-së dhe autoriteteve vendore. Sipas kërkimeve të disa studiuesve amerikanë, numri real i viktimave mund të jetë rreth 130 mijë. /mesazhi







