Kanada, Bordi i një shkolle merr nota të larta për miratimin e programit kundër islamofobisë

Bordi i një shkolle në zonën e Torontos është bërë i pari në Kanada që prezanton një program kundër islamofobisë.

Bordi i Shkollës së Distriktit Peel përmbushi detyrat e tij dhe zbuloi se rreth një e katërta e 153 mijë nxënësve të saj, Kopshti i Fëmijëve deri në klasën e 12-të në 244 shkolla, janë muslimanë.

“Nisja e strategjisë tregon përkushtimin e Bordit të Shkollës së Distriktit Peel për të siguruar që nxënësit që deklarohen muslimanë të ndihen të afirmuar dhe të kenë një mjedis mësimi të sigurt dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh bordi në një intervistë përmes emailit për Anadolu.

Për komentet u kujdes Manon Edwards, menaxherja e komunikimit të bordit. Nisma e bordit të Peel mori një A+ nga Këshilli Kombëtar i Muslimanëve të Kanadasë (NCCM).

“Bordi Shkollor i Distriktit Peel është bordi i parë shkollor në Kanada që zhvillon një strategji kundër islamofobisë në këtë mënyrë”, tha menaxherja e Programeve Arsimore të NCCM, Aasiyah Khan në një intervistë me email.

Në fakt, Khan tha se Peel mund të jetë i pari në Amerikën e Veriut me një program të tillë. Por, ndryshime të tilla nuk ndodhin brenda natës.

Ish-administratorja e bordit, Nokha Dakroub (2014-2022) punonjëse sociale dhe aktiviste kishte potencuar më parë rrezikun e islamofobisë pasi ajo prek nxënësit.

Në gusht, ajo ishte shprehur se ka ardhur koha që të ndërmarrin veprime konkrete, kurse në një takim të bordit po atë muaj, ajo paralajmëroi për hapat drejt krijimit të strategjisë kundër islamofobisë. Ideja u miratua zyrtarisht në një mbledhje të bordit në shtator të atij viti.

Më poshtë është procesverbali zyrtar i mocionit të miratuar nga bordi.

“Vendim, Bordi i Shkollës së Distriktit Peel do të angazhohet për një strategji kundër islamofobisë. Ky staf raporton rreth përpjekjeve të saj për të zhvilluar një strategji kundër islamofobisë, në mënyrë specifike për të ofruar informacione se cilat, nëse ka, pika të veprimit dhe masat e llogaridhënies janë në fuqi, përfshirë planet për t’ia ofruar rregullisht këtë informacion komunitetit më të gjerë”.

“Vendim shtesë, Bordi i Shkollës së Distriktit Peel mandaton trajnime kundër islamofobisë për të gjithë stafin”.

Versioni përfundimtar u miratua në janar 2023. “Jam shumë e emocionuar”, tha Dakroub për “Mississauga.com News” pas miratimit të politikës.

Ajo ka një emër disi të gjatë “Strategjia e afirmimit të identiteteve muslimane dhe e çrrënjosjes së islamofobisë”. Sido që ta ketë emrin, Khan tha se kjo politikë ishte shumë e nevojshme.

“Në kohët e fundit, ne (NCCM) kishim pothuajse një telefonatë në ditë lidhur me incidentet e urrejtjes, racizmit ose islamofobisë në shkolla”, komentoi ajo në email.

“Ky është një problem shumë real me të cilin përballen nxënësit, mësuesit dhe stafi i shkollës brenda sistemit dhe duhet të adresohet. Shkollat duhet të jenë vendi më i sigurt për nxënësit tanë”, tha Khan.

Programi i udhëzon mësuesit dhe stafin se si të merren me islamofobinë nëse ajo shfaqet.

Plani, që do të prezantohet gjatë një periudhe katërvjeçare, trajton islamofobinë përmes edukimit të krijuar me partnerë të komunitetit si NCCM, trajnimit vjetor kundër islamofobisë, qëndrimit në kontakt me grupet muslimane dhe inkurajimin e shoqatave të nxënësve musliman.

“Kjo është një strategji kundër islamofobisë që krijohet nga dhe për ata që ndikohen vazhdimisht nga forma direkte ose indirekte të urrejtjes dhe racizmit brenda sistemit shkollor”, tha Khan.

Bordi i Peel e di se kjo strategji do të jetë një ndihmë e madhe për nxënësit e tij që janë të besimit musliman.

“Bordi i Shkollës Peel është i vetëdijshëm se islamofobia ndikon në përvojat e studentëve tanë muslimanë, familjeve të tyre dhe stafit tonë. Si i tillë, ne përpiqemi çdo ditë për të garantuar sigurinë, mirëqenien dhe shëndetin mendor të studentëve dhe stafit tonë musliman”, tha Bordi.

Veprimi i bordit të Peel është një plus i madh, por NCCM e pranon se nuk ka kohë për pushim kur bëhet fjalë për shkollat.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me bordet e shkollave në të gjithë vendin për të zhvilluar strategji kundër islamofobisë të ngjashme me atë të Bordit të Shkollës së Distriktit Peel. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, tha Khan.