Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kancelari gjerman: BE-ja duhet të ndërtojë partneritete me Turqinë, Indinë dhe Brazilin

Kancelari gjerman: BE-ja duhet të ndërtojë partneritete me Turqinë, Indinë dhe Brazilin

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të krijojë partneritete me vende si Turqia, India dhe Brazili për të adresuar sfidat globale, transmeton Anadolu.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Merz tha se integrimi më i ngushtë midis anëtarëve të BE-së dhe lidhjet me SHBA-në, megjithëse të rëndësishme, nuk janë më të mjaftueshme për t’iu përgjigjur sfidave të sotme ekonomike dhe të sigurisë.

“Ne duhet të krijojmë një rrjet të fortë partneritetesh globale. Kanadaja dhe Japonia, Turqia, India dhe Brazili do të luajnë një rol kyç në këtë, ashtu si edhe Afrika e Jugut, shtetet e Gjirit dhe të tjerë”, tha Merz.

Lideri konservator theksoi se BE-ja duhet të forcojë bashkëpunimin me këto vende mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe një perspektive afatgjatë, duke u përqendruar në shqetësimet e përbashkëta.

“Kjo do të shmangte varësitë dhe rreziqet, dhe njëkohësisht do të hapte mundësi dhe perspektiva për të dyja palët”, tha Merz.

“Ne ndajmë një interes themelor për një rend politik në të cilin mund t’u besojmë marrëveshjeve dhe në të cilin jemi në gjendje të përballojmë së bashku problemet globale”, shtoi ai.