Kancelarja Merkel do të vizitojë Shqipërinë më 14 shtator

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë Shqipërinë më 14 shtator, ndërkohë do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë në një njoftim ka konfirmuar se Merkel do takohet fillimisht për një bisedë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Të planifikuara janë diskutime që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me Bashkimin Evropian (BE).

Sipas njoftimit, në bisedimet e mëpasshme me krerët e qeverive të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal.

Gjithashtu në Tiranë janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi. /aa