Kandidati për president të Francës dënohet nga gjykata për gjuhë të urrejtjes

Kandidati për president të Francës, Eric Zemmour, është gjobitur me 10 mijë euro nga një gjykatë në Paris për gjuhë të urrejtjes.

Rasti ndaj kandidatit të ekstremit të djathtë ishte inciuar gjatë një paraqitje në TV të tij, ku ai përshkroi fëmijët migrantë që gjenden pa prindër si “hajdutë”, “përdhunues” dhe “vrasës”, raporton BBC.

Zemmour njihet për qasjen e tij anti-islam dhe anti-imigracion.

Avokati i tij ka thënë se do të apelojë ndaj vendimit të gjykatë.

Duke reaguar në rrjete sociale, Zemmour ka thënë se liria e tij e shprehjes është kufizuar dhe ka thënë se ka nevojë “urgjente për të larguar ideologjitë nga gjykatat”.

Zemmour komentet e tij i kishte bërë në shtator të vitit 2020 në televizionin “CNews”, ku punonte si analist.

Duke iu përgjigjur një pyetje në lidhje me një sulm me thikë që kishte bërë një migrant pakistanez i radikalizuar, ai tha: “Ata nuk kanë se çfarë kërkojnë këtu. Ata janë hajdutë, vrasës, përdhunues. Duhet të dëbohen, nuk duhet lejuar të vinë këtu”. /koha