Kaosi në rrugë, deklarohen institucionet

Gjendja në trafikun rrugor tashmë është alarmante. Vështirë të kalojë një ditë e vetme dhe mos të raportohet për të lënduar, apo të vdekur si pasojë e aksidenteve.

Institucionet përgjegjëse për shenjëzimine rrugëve, vendosjen e kamerave, rregulla për certifikimin e ngasësve dhe të tjera, po merren me fushata vetdijsuese, ndërsa ekspert të komunikacionet këtë gjendje e quajnë të jashtëzakonshme dhe thonë se është koha e fundit të merren masa konkrete.

Vetëm në qershor dhe korrik, një mijë e 58 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente në Prishtinë. Të gjithë si pasojë e aksidenteve.

Në qershor kanë humbur jetën katër persona, ndërsa në korrik janë dy raste me të vdekur, këto raste janë që janë lajmëruar vetëm në Klinikën Emergjente.

Basri Lenjani: Qershor-korrik, 1058 raste në Klinikën Emergjente.

“Për periudhën qershor-korrik 2018 gjithsej kanë kërkuar ndihmë mjekësore 1058 raste si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Për muajin qershor kemi katër të vdekur, të konfirmuar në dhomën e ranimacionit, dhe për muajin korrik kemi dy raste me të vdekur me fatalitet. Në krahasim me vitin e kaluar muaji qershor, korrik, konsiderohet si numri më i madh i të lënduarve të cilët kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore, mirëpo nuk kemi rritje të vdekshmërisë, sa i përket dallim të periudhës për 2017-2018”, tha ai.

E këto statistika i përbëjnë moshat prej 18 deri në 45 vjeç.

Në Republikën e Kosovës, brenda një dite shqiptohen mbi 1000 tiketa për kundërvajtje të ndryshme gjatë shkeljeve të rregullave në trafik.

Në Policinë e Kosovës thonë se po e monitorojnë dhe menaxhojnë situatën në trafikun rrugor, në ato pjesë ku shkelet rregullat e trafikut.

“Policia me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon zero tolerancë dhe masa rigoroze ndëshkuese siç parasheh ligji, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Së fundmi, Policia e Kosovës ka themeluar TaskForcë për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor. Kjo u bë me qëllim që përmes komandës dhe kontrollit të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel policor nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe stafin udhëheqës të Policisë.

Për aksidentet kanë folur edhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

Shefi i kabinetit të ministrit, Argjend Zejnaj, i ka thënë KosovaPress-it se po bëjnë  aq sa munden brenda kompetencave ligjore, që të rregullojnë këto probleme.

“Si Ministri e Infrastrukturës me aq sa kemi kompetencë po ndërmarrim çdo gjë që është në dorë që mos të kemi kaq shumë, ose mos të kemi fare aksidente sepse është vërtetë për keqardhje ky numër kaq i madh i aksidenteve.. Aq sa na jep kompetencë ligji, kaq na jep. Është fakt që i certifikojmë ngasësit por mbikëqyrjen e ka Ministria e Punëve të Brendshme, e të tjera, policia rrugore”, tha ai.

Ndërsa ekspertë të komunikacionit vlerësojnë se gjendja është e jashtëzakonshme dhe se duhet të ndërmerren masa të jashtëzakonshme.

“Mendoj se përfundimisht Qeveria e Kosovës duket të thërras një takim urgjent për të diskutuar me të gjitha institucionet që kanë mandat ligjor lidhur me sigurinë në rrugë për hapat konkret se çfarë të bëhet për tejkalimin e kësaj situate”, thotë Muhamet Krasniqi, ekspert i komunikacionit.

Duke folur për rritjen e numrit të veturave në trafikun rrugor gjatë periudhës së verës, Krasniqi thotë se duhet menaxhuar situata karshi fluksit të qytetarëve.

Sipas tij, duhet ngritur një plan të veprimit për t’i bërë ballë një fluksi kaq të madh të qytetarëve.

Ai thotë se policia duhet të ndihmohet nga institucionet dhe vet qytetarët në mënyrë që të arrihet një zgjidhje.

“Policia duhet të jetë e pranishme çdo kund të rrugë, në momentin që nuk kemi vëzhgim të trafikut rrugor përmes sistemeve intelegjente, sikur nëse t’i kishim kamerat e vendosura në akse të ndryshme rrugore saktësisht atje ku po ndodhin aksidentet më shumë, atëherë do të kishte një zgjidhje, në të kundërtën duhet policia të jenë të pranishëm”, tha ai.

E në Ministrinë e Infrastrukturës po flasin për kontrolle teknike mobile.

Sipas tyre, po shikojmë mundësinë që të ketë kontrolle teknike mobile, që në bashkëpunim me PK të kontrollohet automjetet gjatë lëvizjes.

Ditët e fundit në Kosovë kanë ndodh aksidente të shpeshta, e që disa prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.

Strategjia kombëtare për sigurinë në komunikacion rrugor ka një plan të veprimit 2015-2020, por ka pas masa që janë ndërmarrë deri tani.