Kapja e 400 mijë euro ekstazi, Gjykata e Tiranës cakton burg pa afat për pesë të arrestuarit

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar burg pa afat për pesë të arrestuarit e operacionit antidrogë ku u kapën 11 mijë e 300 doza ekstazi, me peshë 5 kg e 93 gr dhe me vlerë tregu 400 mijë euro.

Mithat Ramadani, Kalem Picari, Ambra Myftari, Daniel Avdija si dhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci do të hetohen në qeli.

Ata u kapën në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri” në Tiranë.

Pesë personat shfrytëzonin fluksin e sezonit për të transportuar lëndën narkotike përmes një linje autobusësh Prishtinë-Tiranë. Në momentin që ekstazia mbërrinte në Tiranë, ajo transportohej përmes makinave me qira, ndërsa fokusi ishte te shpërndarja në zonën e bregdetit.

Trafikantët kërkonin paradhënie dhe lënie të automjeteve garanci për ekstazinë.

Përveç sasisë së lëndës narkotike edhe një automjet e pesë aparatë celularë u sekuestruan.

Dozat e drogës sintetike janë me ngjyrë kafe dhe kanë logon e markës së luksit, Louis Vuitton.