Ironia e Ramës rrezikon të kthehet në një histori të hidhur për të rinjtë shqiptarë
Më 9 nëntor 2000, rreth orës 20:30, dy plumba goditën dritaren e banesës së Edi Ramës, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Sipas raportimeve të kohës, dyshohej se të shtënat mund të ishin kryer me një armë precize, ndoshta snajper me silenciator. Megjithatë, hetimet nuk arritën të përcaktonin përfundimisht se kush kishte qëlluar dhe nga kishte ardhur arma.
Rama zgjodhi ta minimizonte ngjarjen me ironi. “Dy karamele nga doktori…”, deklaroi ai, duke aluduar për Sali Berishën, kundërshtarin e tij politik. Batuta mbeti në kujtesën publike, por misteri i të shtënave nuk u zgjidh kurrë.
Një çerek shekulli më vonë, ajo mund të rikthehet në një kontekst krejt tjetër. Gjatë protestave të sotme në Tiranë, protestuesit dhe mediat raportuan përdorimin e plumbave të gomës nga policia.
Pamjet e publikuara treguan disa të rinj të plagosur në zona të ndryshme të trupit, madje edhe pranë kokës. Sigurisht, dy ngjarjet nuk mund të barazohen.
Në vitin 2000, Rama ishte vetë objektiv i të shtënave me armë zjarri, ndërsa sot bëhet fjalë për përdorimin e mjeteve policore gjatë protestave. Por ironia është e dukshme. Ai që dikur e shoqëronte rrezikun me një batutë për “karamelet”, është sot në krye të një qeverie që duhet të japë llogari për mënyrën barbare se si policia trajton të rinjtë që kërkojnë ndryshim.
Rama ka përjetuar edhe dhunën fizike. Në vitin 1997, ai u rrah brutalisht dhe rrezikoi seriozisht jetën. Që nga ngjarja e vitit 2000, nuk ka pasur ndonjë atentat tjetër të mirëfilltë me armë zjarri ndaj tij. Pikërisht për këtë arsye, përvoja personale duhej ta bënte më të ndjeshëm ndaj rrezikut që sjell dhuna.
Plumbat e gomës nuk janë lodra dhe as argument për të bindur një brez të zemëruar. Ata mund të shkaktojnë dëmtime serioze, sidomos kur qëllohen drejt kokës dhe qafës. Në një klimë të tensionuar, përdorimi i tyre mund të ushqejë një përshkallëzim që askush nuk duhet ta dëshirojë.
Dita e djeshme dha disa sinjale për uljen e tensioneve. Do të ishte e pafalshme që ky moment të shpërdorohej. Plumbat e gomës nuk çojnë domosdoshmërisht te fishekët manovër e më pas te municioni i vërtetë, por kur dhuna normalizohet, rreziku i përshkallëzimit bëhet real.
Zoti mos e dhëntë që Shqipëria të arrijë deri aty. Asnjë pushtet nuk ia vlen një jetë njerëzore. Rama mund t’i kujtojë ende “karamelet e Doktorit”, por sot do të bënte mirë të mos harronte se shteti nuk qeveriset me ironi dhe as me plumba. \tesheshi.com\







