Kasami: Lëvizja BESA synon zhvillimin ekonomik të rajonit perëndimor

Në selinë e Lëvizjes BESA në Shkup, kryetari i këtij subjekti politik, Bilall Kasami, priti në një takim delegacionin e “Institutit për Hapësira Humane” të kryesor nga drejtori i këtij instituti, Andrej Kajbiç, të cilët kanë ardhur nga Maribori i Sllovenisë për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar sugjerimet rreth përpilimit të projekteve zhvillimore rajonale, që janë pjesë e Platformës së Lëvizjes BESA, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Kasami paralajmëroi se në vend do të realizohen projekte konkrete për zhvillim strategjik të pjesës perëndimore të Maqedonisë. Ai shtoi se palët janë në fazën e konsultimeve për atë se cila do të ishte qasja e zhvillimit strategjik të kësaj pjese, në interes të ngritjes së mirëqenies së banorëve që jetojnë në atë pjesë, por edhe në funksion të zhvillimit ekonomik të Maqedonisë.

Në pyetjen se deri më tani pjesa perëndimore e Maqedonisë është anashkaluar nga investimet e jashtme, Kasami tha se paltforma e partisë që drejton ai, dallon nga subjektet tjera politike dhe ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të rajonit në të cilin janë prezent si parti në fazën e ngritjes së tyre politike.

“Qasja e deritanishme e investimeve të jashtme ka qenë një qasje politike dhe jo ekonomike. Për të pasur investime të qëndrueshme të jashtme dhe të brendshme duhet një analizë, një studim dhe një qasje strategjike të cilën nuk e ka patur Maqedonia. Ne si Lëvizje BESA e ofrojmë këtë qasje strategjike, ofrojmë një plan të zhvillimit ekonomik, veçanërisht të pjesës perëndimore. Kur do ta kemi këtë plan strategjik, besoj se edhe investitorët e huaj nuk do të vijnë nga atraksioni politik, por do të vijnë bazuar në interesin ekonomik”, deklaroi Kasami.

Nga ana tjetër, drejtori i “Institutit për Hapësira Humane”, Andrej Kajbiç, duke theksuar se instituti që drejton ai, punon me projekte zhvillimore, tha se: “Ne jemi duke u përgatitur për projektin zhvillimor ‘Korab 2025’, i cili përmban një program për të zhvilluar rajonin perëndimor të këtij vendi dhe synon zhvillimin ekonomik, turistik, social dhe kulturor të këtij rajoni”.

Takimi i sotëm i Lëvizjes BESA me “Institutin për Hapësira Humane” mbahet për herë të dytë, pasi që në fund të vitit të kaluar Lëvizja BESA ishte mysafire e këtij instituti. Qëllimi i takimeve është projekti zhvillimor i paralajmëruar nga Lëvizja BESA “Korab 2025”, në të cilin parashihen shumë projekte investuese zhvillimore nga fusha e turizmit dhe fusha tjera që përfshinë rajonin perëndimor të Maqedonisë.

Lëvizja BESA synon që me këtë projekt edhe komunat shqiptare të gjenerojnë zhvillim ekonomik që sipas tyre, ndjeshëm do të përmirësojnë standardin jetësor të banorëve.