“Katari i gatshëm për zgjidhjen e krizës së Gjirit nëpërmjet dialogut”

Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Katarit, Sheiku Abdullah bin Nasir bin Halife Al Thani tha se shteti i tij është i gatshëm për zgjidhjen e krizës së Gjirit nëpërmjet dialogut, duke mos prekur sovranitetin e vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Al Thani, në një deklaratë për agjencinë zyrtare të Katarit QNA me rastin e 18 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Katarit, tha se nuk i pranojnë përpjekjet për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të tij.

Duke i mohuar pretendimet se po e mbështesin terrorizmin, Al Thani akuzoi shtetet të cilat aplikojnë bllokadë ndaj këtij vendi me përpjekje për të mbajtur Katarin nën tutelë.

Ai tha se ditën kombëtare janë duke e festuar brenda një bllokade të pamerituar. Al Thani tha se kjo bllokadë ka për qëllim që Katari t’u nënshtrohet atyre, duke hequr dorë nga parimet dhe sovraniteti i tij.

Në vazhdim Al Thani tha se nuk do të pranojnë assesi këto përpjekje dhe se ka dalë në shesh qëllimi i keq i atyre që kanë ndërmarrë bllokadën.

“Qëndrimi ynë i pandryshueshëm që nga fillimi i krizës e deri më tani ishte që rruga e vetme është dialogu, i cili nuk do të prekë sovranitetin dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të këtij vendi”, deklaroi Al Thani, duke vënë në dukje se Katari ka arritur që ta menaxhojë krizën dhe t’i tejkalojë reflektimet e saj.

Ndërprerja e të gjitha marrëdhënieve diplomatike të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahreinit dhe Egjiptit me Katarin më 5 qershor, shkaktoi krizë në rajonin e Gjirit.