Katër minatorë të “Trepçës” ngujohen në minierë, shkak mungesa e rrymës

Katër minatorë që nga orët e para të mëngjesit janë ngujuar brenda Minierës së “Trepçës”.

Shkak, problemi me energjinë elektrike në traken kryesore të Parkut Industrial të Trepçës.

Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, udhëheqësi i Njësisë Biznesore të minierës me Flotacion Trepça-Stan Tërg, Shyqri Sadiku.

Sadiku njoftoi se gjendja shëndetësore e minatorëve është stabile dhe kanë komunikim me ta çdo 10 minuta.

“Problemi është me energji, në traken kryesore që është në Parkun Industrial të Trepçës te 110-shi. Ka defekt, por janë duke e sanuar tashmë. Për këtë na ka dalë në mbështetje edhe KEDS-i, ku bashkë me ekipet tona janë duke punuar. Rasti ka ndodh prej orës 6:50 në mëngjes. Çdo 10-15 minuta jemi në komunikim, gjendjen mirë e kanë”, tregoi ai për Tëvë1.

Ndërkohë, bëri të ditur se lidhur me këtë rast është angazhuar edhe Shoqata e Shpëtimit, KEDS-i si dhe ekipet e Minierës.

“Ata kanë qenë në vendin e punës, është ndërprerë rryma. Është një defekt, jemi duke e sanuar. Jemi në komunikim me katër minatorët, për momentin gjendjen shëndetësore e kanë të mirë. Edhe Shoqata e Shpëtimit është aktivizuar për çdo rast nëse kanë nevojë, derisa ata të lëshohen poshtë. Nëse kanë nevojë për ndihmë ata janë të gatshëm…”, tha ai.