KDI: Presidenti të ketë rol më aktiv në konstituimin e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një komunikate për media kërkon nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që të ketë rol më aktiv dhe të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për t’i kontribuar daljes nga bllokada dhe konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit të djeshëm të seancës konstituive, ku në rend të ditës ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, KDI kërkon nga koalicioni PAN të ushtrojë së më parë të drejtën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe në rast të dështimit të përkrahjes së kandidatit të propozuar nga PAN, partitë politike të konsiderojnë noniminim e një kandidati konsensual për kryetar të Kuvendit.

KDI konsideron se subjektet politike dhe deputetët e zgjedhur me votë qytetare nuk janë duke respektuar Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve për t’i formuar institucionet e vendit, duke çuar kështu vendin drejt një krize politike e institucionale.

“Subjektet politike duhet të gjejnë konsensus për të përafruar qëndrimet e tyre në mënyrë që t’i shmangin praktikat bllokuese dhe të ofrojnë zgjidhje. Mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare, pa i shterur të gjitha mundësitë për tejkalim nga kjo situatë dhe sidomos pa reformë të mirëfilltë zgjedhore dhe ndryshime kushtetuese, nuk përbën opsion”, thuhet në komunikatë.