Kelmendi flet për emocionet në Paris, dhe synimin kryesor për këtë vit

Kampionia e katërfishtë e Grand Slamit të Parisit, Majlinda Kelmendi është shprehur shumë e lumtur pasi fitoi medaljen e artë dje në Paris.

Ajo në finale e mposhti xhudisten japoneze Natsumi Tsunoda, për të treguar dominimin në xhudon botërore.

“Ndihem shumë mirë dhe shumë e lumtur sepse kjo ishte gara e parë pas Lojërave Olimpike. Dhe të jem e sinqertë isha paksa nervoze, por u ndjeva mirë. Kam pasur një pushim prej rreth tre javësh pas Olimpiadës dhe vetëm doja të filloja përsëri, sepse nuk doja që të pushoj shumë sepse është shumë e vështirë të fillosh përsëri. Jam shumë e lumtur që fillova mbarë këtë vit”, është shprehur Kelmendi, transmeton Koha.net.

Në pyetjen se çfarë ka ndryshuar pas Lojërave Olimpike për të, ajo është përgjigjur se jo edhe aq shumë pasi, njerëzit në Kosovë e kanë dashur edhe para suksesit në Rio, transmeton Koha.net.

“Jam heroinë në vendin tim. Njerëzit më shohin si një shembull i mirë, diçka që duan të jenë dhe kjo më bën vërtet të lumtur dhe shumë krenare. Nuk është e lehtë të bëhesh kampion bote apo olimpike, sepse e dini që Kosova është një vend i vogël dhe ka shumë probleme. Por, nuk është se jeta ime ka ndryshuar shumë, sepse edhe para kësaj isha shumë e njohur, por tani njerëzit madje vijnë në shtëpinë time, ndoshta vetëm për të më përqafuar. Është me të vërtetë shumë e veçantë, mund ta ndjej se njerëzit më duan, më mbështesin dhe ju pëlqen ajo çfarë bëj unë”, ka thënë katër herë medalistja e artë e Grand Slamit në Paris për kanalin zyrtar të IJF-së.

Kelmendi më tutje thotë se ky vit ka filluar saktësisht ashtu siç e kishte planifikuar.

“Ky vit ka filluar saktësisht qysh e kam planifikuar. Publiku në Paris është i shkëlqyeshëm. Meçin e dytë e kisha ndaj francezes, dhe publiku më duartrokiti edhe atë edhe mua dhe kjo nuk ndodhë në vendet e tjera. Kjo është arsyeja pse e dua Parisin”, ka thënë Kelmendi.

Synimi kryesor i saj për këtë vit është Kampionati Botëror.

“Nuk e di nëse do të bëj edhe ndonjë garë tjetër para Evropianit, pasi me të vërtetë dua të stërvis shumë dhe të jem gati për Kampionatin Evropian, por le të shohim çfarë do të ndodhë. Por, sigurisht synimi im kryesor për këtë vit është Kampionati Botëror, dhe ta fitoj përsëri titullin”, ka thënë ajo, transmeton Koha.net.

Majlinda ka treguar edhe si qëndron kaq e motivuar, përkundër që është kampione Olimpike dhe ka fituar të gjitha titujt.

“Jam shumë e motivuar, madje tani jam edhe më e motivuar sepse tani e di se në çdo garë që shkoj kundërshtaret duan të më mposhtin, duan ta mposhtin kampionen olimpike. Dhe kjo me të vërtetë më motivon të ushtroj tre herë më shumë”, ka thënë Kelmendi.