Kërcënim i rëndë ndaj GJNP: Tërhiq urdhrat për Izraelin, përndryshe do të shkatërrohesh

Karim Khan

Sipas një raporti ekskluziv nga Middle East Eye, kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJNP), Karim Khan, është kërcënuar në maj të këtij viti që të tërheqë urdhër-arrestet ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant — përndryshe ai vetë dhe Gjykata do të “shkatërroheshin”.

Ky paralajmërim iu përcoll Khanit nga Nicholas Kaufman, një avokat mbrojtës britaniko-izraelit që punon në GJNP. Sipas një shënimi nga takimi, Kaufman i tha Khanit se kishte folur me këshilltarin juridik të Netanyahut, Roy Schondorf, dhe ishte “autorizuar” t’i bënte një “propozim për kompromis”, për t’i dhënë mundësi Khanit të “zbresë nga pema”.

Kaufman paralajmëroi se nëse do të bëhej e ditur se kryeprokurori po përgatitej të kërkonte edhe urdhër-arreste të tjera, për ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, për shkak të promovimit të vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor, “atëherë të gjitha opsionet do të hiqeshin nga tryeza”.

Ai i tha Khanit drejtpërdrejt: “Do të të shkatërrojnë ty dhe do të shkatërrojnë gjykatën.”

Ky zhvillim vjen në kohën kur GJNP është nën presion të madh ndërkombëtar për hetimet që lidhen me krimet e dyshuara të luftës në Gaza dhe territoret e pushtuara palestineze. /mesazhi