Ballina Lajmet Kosovë Kërcënimet e Vulinit, Sveçla: Jemi të gatshëm të përballemi me çdo lloj...

Kërcënimet e Vulinit, Sveçla: Jemi të gatshëm të përballemi me çdo lloj situate, nuk i frikësohemi as atij e as Vuçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që t’u kushtojnë vëmendje të plotë deklaratave kërcënuese të ish-drejtorit të Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, ndaj Kosovës dhe udhëheqësve të saj.

Reagimi i Sveçlës vjen pasi Vulin deklaroi se, ashtu siç ka vepruar Mossadi izraelit në Iran, mund të veprojë edhe Serbia në Kosovë. Ai kishte shtuar se “Serbia di ta bëjë këtë”, duke përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Sveçla e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme dhe drejtpërdrejt kërcënuese.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se Vulin njihet për lidhje të ngushta politike dhe institucionale me Rusinë, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić.

“Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës”, ka shtuar Sveçla.

Ministri i Brendshëm ka deklaruar se historia e afërt dëshmon për përfshirjen e strukturave të inteligjencës serbe në vrasjen e veprimtarëve politikë shqiptarë dhe se deklarata se “Serbia di ta bëjë këtë” përbën precedent të rrezikshëm.

Ai ka përmendur edhe arrestimin e dy shtetasve bjellorusë dhe një shtetasi rus në javën e dytë të shkurtit, të cilët ishin ndaluar për hyrje ilegale në Kosovë. Sipas tij, atyre u ishin gjetur pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative, “që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”.

“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin”, ka theksuar Sveçla.

Në fund, ai ka shtuar se Kosova nuk do të zmbrapset nga kërcënimet dhe se përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të marrin vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë.

Vulin aktualisht nuk mban ndonjë post institucional në Serbi, por më herët ka ushtruar detyrën e drejtorit të BIA-s, ka qenë ministër në disa dikastere dhe drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.