Kërkohet largimi i Ardian Kastratit dhe shkarkimi i Këshillit drejtues të UP-së

Aktivistë të shoqërisë civile kanë organizuar sot një protestë ku kërkuan përjashtimin e Ardian Kastratit nga Universiteti i Prishtinës, pas sipas tyre ai ka përdorur gjuhë seksiste dhe denigruese në një postim të tij publik në rrjetin social Facebook ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Aktivistja Liridona Sjarina tha se Kastrati ka bërë një deklaratë seksiste dhe fyese ndaj presidentes Osmani, duke e komentuar në mënyrë fyese dhe denigruese.

“Një qasje e tillë nuk ka qenë satirike dhe një qasje e tillë nuk guxon të lexohet si gabim i cili mund të tejkalohet si rast i izoluar por duhet lexuar si një mendësi e etabluar e cila është thellësisht patriarkale… Kjo gjuhë e cila prodhon gjuhë të urrejtjes është një ndër shkaktarët kryesor të nënshtrimit të grave, dhunës dhe vrasjes së tyre. E kur kjo bëhet prej personave publik, aq më shumë universitar kjo gjë është e patolerueshme dhe duhet me u dënu”, tha Sjarina.

Ajo kërkoi përjashtimin e Kastratit nga stafi akademik dhe rektori i UP-së të inicioj rast pranë Këshillit të etikës për këtë deklaratë.

“Po ashtu të themeloj një Komision hetues për punësimin e Kastratit në stafin akademik universitet”, u tha në këtë protestë.

Kërkesa tjetër, sipas tyre ka të bëjë me fenomenin e ngacmimeve seksuale në UP.

“Kërkojmë që të shkarkohet Këshilli drejtues i UP-së për zvarritjen e miratimit të rregullores për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimi seksuale”, tha Sjarina, duke shtuar se që tri vjet është draftuar një rregullore për mbrojtjen nga ngacmimi seksual po që ka zvarritje.

“Këshilli duhet menjëherë me e miratuar këtë rregullore ashtu siç është dorëzuar nga grupi punues dhe kjo duhet të bëhet deri të premten”, tha Sjarina.

“Seksistët nuk duhet të paguhen nga taksat tona….”, u shpreh ajo.