Kërkohet që pronat e Xhafer dhe Qazim Devës që janë konfiskuar nga Serbia t’i kthehen familjes së tyre

Valdet Deva, nipi i Xhafer Deves ka dorëzuar sot një kërkesë tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe të deputetët e Kuvendit, ku ka kërkuar që pronat e Xhafer Deves dhe Qazim Deves, të konfiskuara nga Gjykata e Serbisë të kthehen në pronësi të familjes.

Ai bashkë me kërkesën ka dorëzuar edhe procesverbalin e procedurës gjyqësore ndaj Xhafer dhe Qazim Devës, si dhe vendimet për konfiskimin e pasurisë, në të cilat ata shpallen armiq të Serbisë, Jugosllavisë dhe regjimit komunist, transmeton Telegrafi.

“Kërkoj nga Kuvendi, që pa humbur kohë, ta shqyrtojë këtë kërkesë, me një rëndësi të madhe jo vetëm për pasardhësit e Xhafer dhe Qazim Deves, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe tërë kombin shqiptar”, ka shkruar Deva në Facebook.

Më poshtë gjeni të plotë letrën e Valdet Devës:

Kuvendit të Republikës së Kosovës

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar anëtar te Kabinetit Qeveritarë,

Të nderuar Deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Përmes kësaj letre dua qe të adresoj te ju një çështje tejet të rëndësishme, jo vetëm për familjen Deva, pasardhësit e z. Xhafer Deva, por gjithashtu edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe tërë kombin shqiptarë.

Në vitet 1946 – 1947, Gjykata e Serbisë pushtuese shpalli Xhafer Ibrahim Devën dhe vëllaun e tij Qazim Ibrahim Devën armiq të Serbisë, të Jugosllavisë dhe të regjimit komunist, si dhe mori vendim për konfiskimin e tërë pasurisë së z. Xhafer Deva dhe vëllaut të tij, z. Qazim Deva. Kësaj letre po ia bashkëngjis edhe kopjet e vendimeve të gjykatës së pushtuesit, si dhe kopjet e letrave poseduese që t’i lexoni.

Ndër objektet e patundshmërisë që u konfiskuan me këtë rast është edhe shtëpia e Xhafer Devës, e për të cilën, në opinion u bë një polemikë e madhe pas deklaratës shumë të pamatur dhe të pabazë të ambasadorit gjerman, z. Jörn Rohde.

Duke marre parasysh se këto prona u konfiskuan nga regjimi pushtues, gjenocidal dhe komunist serb, me ç’farë të drejte sot, në Kosovën tonë të lirë, të pavarur dhe sovrane, këto prona vazhdojnë të trajtohen dhe quhen prona publike të Republikës së Kosovës?

Unë besoj se është interes kombëtar me rëndësi të madhe që kjo çështje të trajtohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Si pjesëtar i familjes Deva, kërkoj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të deklarohet në lidhje me këto konfiskime të bëra nga regjiimi pushtues e gjenocidal, sepse pronat e lartpërmendura janë prona që i takojnë familjes Deva dhe askujt tjetër. Prandaj, me këtë rast, kërkoj që të gjitha pronat të cilat figurojnë në letrat poseduese të përmendura më lartë, t’i kthehen familjes Deva duke mos humbur kohë.

Unë dhe familjarët tjerë, shpresojmë dhe besojmë, se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i përkrahë këto konfiskime të pushtuesit serb dhe për rrjedhojë, nuk dëshiron të jetë trashëgimtare e veprave makabre dhe gjakatare të Serbisë.

Unë, Valdet Deva, nip i Xhafer Devës, ish-Ministër i Punëve të brendshme të Shqipërisë etnike, kërkoj që të gjitha pronat e lartpërmendura t’i kthehen trashëgimtarëve legal të z.Xhafer Deva dhe z. Qazim Deva.

Kjo letër e imja, do të shpërndahet tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me të gjitha dokumentacionet tjera përkatëse.

Kërkoj që së paku një deputet apo deputete ta lexojnë këtë letër në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.