Ballina Lajmet Kosovë KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës për 21.3% për vitin 2026

KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës për 21.3% për vitin 2026

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026 me 21.3 për qind.

Në cilësinë e Furnizuesit me Shërbim Universal (FSHU), KESCO ka aplikuar për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, të cilat sipas dokumenteve zyrtare arrijnë në 528.78 milionë euro, krahasuar me 435 milionë euro sa ishin të lejuara për vitin 2025.

Sipas aplikimit, kjo kërkesë bazohet në rritjen e kostove të furnizimit me energji elektrike, varësinë e shtuar nga importi, rritjen e konsumit, si dhe shpenzimet e transmetimit dhe shpërndarjes. Në kalkulim janë përfshirë edhe bartjet e diferencave financiare nga viti 2025.

Aktualisht, tarifa ditore për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh është 9.05 centë për kWh, ndërsa tarifa e natës është 3.88 centë për kWh.

Për konsumin mbi këtë kufi, çmimi është 15.43 centë gjatë ditës dhe 7.28 centë gjatë natës.

Vendimi përfundimtar lidhur me këtë kërkesë pritet të merret nga ZRRE-ja, ndërsa në rast se kërkesa aprovohet, kjo do të ishte hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike në Kosovë shënon rritje.