Komisari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, i ka bërë thirrje Gjermanisë të respektojë lirinë e shprehjes dhe tubimet paqësore mes kufizimeve të vazhdueshme mbi demonstratat pro-palestineze, transmeton Anadolu.
Në një letër drejtuar ministrit gjerman të Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, O’Flaherty shprehu shqetësim për masat që thuhet se kufizojnë përdorimin e gjuhës arabe dhe simboleve kulturore në protestat në Berlin, si dhe kufizimet për marshime dhe mbikëqyrjen e shtuar të demonstruesve që nga shkurti i vitit 2025.
O’Flaherty theksoi raportet për forcë të tepruar policore gjatë demonstratave, përfshirë ato kundër të miturve dhe tha se veprime të tilla duhet të përmbushin parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe mos diskriminimit.
Komisari evropian gjithashtu kujtoi detyrimin e Gjermanisë për të hetuar abuzimet dhe për të siguruar llogaridhënie.
Më tej, ai ngriti alarmin për kufizimet më të gjera të lirisë së shprehjes në universitete, shkolla dhe hapësira kulturore, si dhe theksoi përpjekjet për të dëbuar shtetasit e huaj për pjesëmarrje në protesta.
O’Flaher paralajmëroi kundër keqpërdorimit të përkufizimit të antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (IHRA) për të shtypur kritikat ndaj Izraelit, duke i nxitur autoritetet gjermane të bëjnë dallimin midis gjuhës së urrejtjes dhe diskursit legjitim politik.
“Kujtoj se vendet anëtare e kanë si detyrim të përmbahen nga ndërhyrjet e panevojshme në të drejtat e njeriut, ashtu edhe detyrime pozitive për të mbrojtur këto të drejta duke siguruar gëzimin e tyre efektiv për të gjithë”, tha ai, duke kërkuar nga Berlini të shmangë masat diskriminuese bazuar në mendimin politik, fenë, etninë ose statusin e migrimit.








