Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën për ndihmat ndaj Afganistanit

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka adaptuar një rezolutë që e ndihmon rrjedhjen e ndihmave humanitare për Afganistanin.

Kjo ndërkohë që vendi i shkatërruar nga lufta është në prag të një krize humanitare pasi talebanët morën pushtetin në gusht.

Rezoluta e miratuar në mënyrë anonime më 22 dhjetor tha se pagesa e fondeve, aseteve të tjera financiare dhe sigurimi i mallrave e shërbimeve të nevojshme për të ofruar asistencën me kohë ose për të mbështetur aktivitete të tilla, janë të lejuara.

Misioni i Mbretërisë së Bashkuar në OKB tha në Twitter se “rezoluta do të ndihmojë të shpëtojë jetë duke siguruar që regjimi i sanksioneve të vitit 1988 nuk përbën asnjë pengesë për ofrimin e ndihmës humanitare”.

“Kjo i përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë asaj që komuniteti humanitar kanë thënë se i duhet”, thanë ata tutje.

Që kur talebanët morën kontrollin e Afganistanit, komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar t’i njohë ata si sundimtarë të rinj, duke u kërkuar atyre të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse dhe të garantojnë të drejtat themelore të njeriut të të gjithë afganëve.

Donatorët kryesorë globalë kanë bllokuar pjesën më të madhe të ndihmës së tyre për vendin dhe rezervat e bankës qendrore afgane të mbajtura jashtë vendit gjithashtu janë ngrirë.