KGJK i kërkon Avokatit të Popullit që ta dërgojë Ligjin për Paga në Kushtetuese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vlerësuar se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe vendimi i Qeverisë për koeficientin paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor dhe se duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

KGJK ka kërkuar nga Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjithë administrata gjyqësore, shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, prandaj ftojmë Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e mbajtur më datë 2 shkurt 2023, së bashku me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ka diskutuar dhe analizuar Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficientit, si dhe efektin e këtyre akteve në sistemin gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjithë administrata gjyqësore, shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, prandaj ftojmë Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor.