Khan: Ai që zgjidh problemin e Kashmirit meriton çmimin Nobel

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, duke komentuar fushatat që janë zhvilluar për t’u nominuar në Çmimin Nobel të Paqes, tha se ai nuk e meriton Çmimin Nobel, transmeton Anadolu Agency (AA). 

“Unë nuk e meritoj Nobelin. Nobelin e meriton personi i cili zgjidh problemin e Kashmirit në drejtim të kërkesave të popullit të Kashmirit dhe hap rrugën e paqes dhe zhvillimit humanitar në kontinent”, ka shkruar Khan në rrjetet sociale. 

Dy ditë pasi u rrëzua avioni indian nga ana e Pakistanit, Khan kishte dorëzuar pilotin në Indi, pas së cilës kishte filluar fushata në rrjetet sociale. 

Në ditën e katërt të fushatës së filluar në “change.org”, ku mblidhen nënshkrime që Khan të nominohet për Çmimin Nobel të Paqes, u arrit 326.000 nënshkrime. 

Ndërkohë, Favad Çaudri, ministri pakistanez i Informacionit dhe Publikimeve, në kërkesën që kishte bërë në parlamentin pakistanez, kishte kërkuar që Khan-it t’i jepet një çmim paqeje prestigjioz. 

– Tensionet Indi-Pakistan

Tensionet e fundit mes Indisë dhe Pakistanit, filluan me sulmin me bombë të ndërmarrë më 14 shkurt ndaj autokolonës me forca paramilitare në pjesën e Kashmirit nën kontrollin e Indisë ku dhe humbën jetën 44 persona. 

Qeveria e New Delhit akuzoi Pakistanin për mbështetje të terroristëve që kryen sulmin. Ndërsa Pakistani hodhi poshtë akuzën dhe dënoi sulmin. 

India më 26 shkurt njoftoi se ka ndërmarrë një sulm ajror ndaj objektivave terroriste të cilat ndodheshin në Vijën e Kontrollit të Kashmirit në anën e Pakistanit. 

Pakistani pas kësaj me arsyetimin e shkeljes së hapësirës ajrore të tij njoftoi rrëzimin e 2 avionëve luftarakë të Indisë. 

Teksa India deklaroi rrëzimin e një avioni luftarak të Pakistanit, qeveria e Islamabadit nuk e konfirmoi këtë. 

Qeveria dhe ushtria e Pakistanit theksuan se nuk dëshirojnë përshkallëzimin e tensioneve. 

Ndërsa kryeministri i Indisë, Narendra Modi, akuzoi Pakistanin se po përpiqet të destabilizojnë vendin e tij. 

Turqia, Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia u bënë thirrje palëve për vetëpërmbajtje.