Kim Mehmeti, Zaevit: Nuk mposhten shqiptarët duke i dhënë pushtet bërllokut politik!

Shkrimtari Kim Mehmeti ka reaguar ashpër lidhur me angazhimin e Kryeministrit Zoran Zaev, që t’i përkrahë kandidatët e BDI-së. Sipas tij, me ndihmën e drejtuesve të BDI-së, Zaevi është duke i përçarë shqiptarët në të ‘mirët’ që e përkrahin BDI e LSDM-së, dhe në të këqijtë, që nuk përkrahin qeverinë e tij.

Shkrimtari Kim Mehmeti vlerëson se sido që të përfundojnë këto zgjedhje vendore, shqiptarët duhet ta ngrenë zërin e t’ia bëjnë me dije Zaevit se ai do e pësoj më keq se Gruevski nëse mendon se ata do mund t’i mposhtë duke e bërë të pushtetshëm bërllokun politik të këtij populli. Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti.

“Shqiptarët e Maqedonisë duhet ta ngrenë zërin kundër një kryeministri, që ata i përçanë në shqiptarë të mirë, që e përkrahin BDI-në e LSDM-së dhe, në të këqijtë, që janë pro vetvetes! Dhe sido që të përfundojnë zgjedhjet vendore, shqiptarët e Maqedonisë ia kanë për borxh vetvetes që Kryeministrit të vendit t’ia kumtojnë zëshëm dhe qartë se, nuk do ia lejojnë që t’i shantazhojë duke i detyruar ta mbështesin mendësinë vasale të BDI-së, as edhe ata t’i barazojë me kulturën politike të ‘hamdi bajramëve’: t’i përkulen vetëm të fortit e të pushtetshmit! Shkurt: le t’i themi këtij Kryeministri që i përkrahë kandidatët e vetë të mbuluar me emblemën e BDI-së, se ai do mbetet vetëm një krijesë naive politike, nëse do vazhdojë të besojë se shqiptarët mposhten duke e bërë të pushtetshëm një pjesë të bërllokut të tij politik!” , shkruan Kim Mehmeti.