Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina kundërshton shënjestrimin e udhëheqësit të ri iranian, Mojtaba Khamaneit

Kina kundërshton shënjestrimin e udhëheqësit të ri iranian, Mojtaba Khamaneit

Emërimi i Mojtaba Khameneit si udhëheqësi i ri suprem i Iranit është në “përputhje me kushtetutën e vendit”, tha sot Kina, kundërshtuar shënjestrimin e klerikut 56-vjeçar, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me vendimin e së dielës nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit, e cila e shpalli Mojtaban si pasardhësin e babait të tij, Ali Khamenei, i cili u vra në sulmet ajrore SHBA-Izrael në Teheran më 28 shkurt.

Guo tha se Pekini kishte vënë re lajmet e emërimit të Mojtabas, por nuk bëri asnjë koment të mëtejshëm.

Mojtaba, një klerik i nivelit të mesëm me lidhje të ngushta me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, u zgjodh nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit, një organ me 88 anëtarë përgjegjës sipas Kushtetutës për emërimin e autoritetit më të lartë politik dhe fetar të vendit.

Me emërimin e tij, Mojtaba 56-vjeç, bëhet udhëheqësi i tretë suprem i Republikës që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

SHBA-ja dhe Izraeli vazhduan fushatën ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit që nga 28 shkurti, e cila ka vrarë më shumë se 1.250 njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe 165 nxënëse shkolle.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që synonin Izraelin dhe vendet e Gjirit që kanë asete ushtarake amerikane.

Kina kundërshton çdo ndërhyrje të jashtme në punët e brendshme të vendeve të tjera nën çdo pretekst, tha Guo, kur u pyet për komentin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se udhëheqësi i ri iranian “nuk do të zgjasë shumë” pa “miratimin” e administratës së tij.

“Sovraniteti, siguria dhe integriteti territorial i Iranit duhet të respektohen”, tha Guo duke përsëritur thirrjen e Kinës për një përfundim “të menjëhershëm” të konfliktit ushtarak dhe rifillimin e dialogut.