Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina paralajmëron për pasoja serioze nëse shënjestrohen centralet bërthamore në Lindjen e...

Kina paralajmëron për pasoja serioze nëse shënjestrohen centralet bërthamore në Lindjen e Mesme

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi paralajmëroi sot për “pasoja jashtëzakonisht të rënda” nëse shënjestrohen lokacione bërthamore në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Komentet e tij erdhën gjatë një takimi me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Mariano Grossi në kryeqytetin kinez Pekin.

“Luftërat në Lindjen e Mesme po përhapen dhe po zgjerohen, me ndikimin e tyre që përhapet me një ritëm të përshpejtuar”, tha Wang ndërsa paralajmëroi për rreziqet e shënjestrimit të objekteve bërthamore, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme kineze.

“Në veçanti, nëse shënjestrohen objektet bërthamore, do të ketë pasoja jashtëzakonisht të rënda dhe njerëzit e rajonit do të zhyten në një situatë të tmerrshme”, tha ai duke kërkuar përfundimin e konfliktit.

“Vetëm duke ndërprerë menjëherë armiqësitë dhe duke rinisur dialogun dhe negociatat, shkaqet rrënjësore të konfliktit mund të eliminohen vërtet”, tha Wang.

Udhëtimi i Grossit në Kinë vjen pasi ai tha se bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit mbi programin bërthamor të Teheranit mund të zhvillohen në Pakistan këtë fundjavë që vjen.

Tensionet rajonale në Lindjen e Mesme kanë vazhduar të përshkallëzohen që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani mbi 1.340 njerëz, përfshirë ish-liderin suprem Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruar Izraelin, së bashku me Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa kanë prishur tregjet dhe aviacionin global.