Kinë, 15 të vdekur dhe afër 2 milionë të prekur nga përmbytjet

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi reshjet e vazhdueshme të shiut shkaktuan përmbytje në provincën Shanxi të Kinës, njoftuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Afër 1,75 milion banorë janë prekur në 76 qarqe, qytete dhe rrethe, me më shumë se 120.000 njerëz të zhvendosur aktualisht, sipas transmetuesit publik CGTN.

Rajoni u godit nga shirat e rrëmbyeshëm nga 2 tetori deri më 7 tetor, duke u dëmtuar mijëra hektarë tokë bujqësore dhe shkatërruar mbi 19.500 shtëpi.

Raportohet se humbjet fillestare direkte ekonomike qëndrojnë në rreth 780 milionë dollarë.

Autoritetet, megjithatë, kanë ulur nivelin e reagimit ndaj përmbytjeve emergjente, duke thënë se “situata e përmbytjeve në provincë është stabilizuar” dhe “nivelet e ujit të lumenjve të vegjël dhe të mesëm kanë rënë nën shenjën paralajmëruese”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Reshjet e shiut në Shanxi këtë muaj ishin “tre herë më shumë se reshjet mesatare të shiut për tetorin krahasuar me vitet e mëparshme”.

Përmbytjet në Shanxi vijnë vetëm disa muaj pas shirave të dendur në provincat Henan dhe Hubei të Kinës, që shkaktuan vdekjen e së paku 350 njerëzve dhe dëme të mëdha materiale. /aa