Nëse ju kanë mbërritur këto fjalë të mia, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të më heshtë zërin.
Së pari, paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ju.
Allahu e di që kam dhënë gjithë mundin dhe fuqinë time për të qenë mbështetje dhe zë për popullin tim, që kur hapa sytë në jetën e ngushtë të rrugicave dhe lagjeve të kampit të refugjatëve Jabalia. Shpresa ime ishte që Zoti të më jepte jetë mjaftueshëm sa të kthehesha me familjen dhe të dashurit e mi në vendlindjen tonë të vërtetë, Asqalanin e pushtuar (“al-Majdal”), por vullneti i Zotit ishte përpara, dhe urdhri i Tij u zbatua.
E kam jetuar dhimbjen në çdo hollësi të saj, kam shijuar hidhërimin dhe humbjen shumë herë, e megjithatë nuk jam lëkundur kurrë nga detyra ime për të përcjellë të vërtetën ashtu si është, pa shtrembërim dhe pa falsifikim. Le të jetë Allahu dëshmitar ndaj atyre që heshtën, atyre që pranuan të na vrasin, atyre që na morën frymën dhe zemrat e të cilëve nuk i prekën trupat e copëtuar të fëmijëve dhe grave tona, dhe nuk ndalën masakrën që po i bëhet popullit tonë prej më shumë se një viti e gjysmë.
Ju porosis për Palestinën, xhevahirin e kurorës së myslimanëve dhe rrahjen e zemrës së çdo njeriu të lirë në këtë botë.
Ju porosis për popullin e saj dhe për fëmijët e saj të vegjël të shtypur, të cilëve jeta nuk u dha mundësinë të ëndërrojnë e të jetojnë në siguri e paqe, sepse trupat e tyre të pastër u shkatërruan nga mijëra ton bomba e raketa izraelite, u copëtuan dhe u përhapën në mure.
Ju porosis që të mos ju heshtin prangat, të mos ju ndalin kufijtë, dhe të bëheni ura për çlirimin e vendit dhe njerëzve, derisa të lindë dielli i dinjitetit dhe lirisë mbi vendin tonë të grabitur.
Ju porosis për familjen time të dashur,
Ju porosis për gëzimin e syve të mi, bijën time të dashur Sham, të cilën nuk më mjaftuan ditët ta shihja të rritej siç kisha ëndërruar.
Ju porosis për djalin tim të dashur Salah, të cilit doja t’i isha mbështetje dhe shok rruge derisa të forcohej e të merrte barrën time, duke vazhduar misionin.
Ju porosis për nënën time të dashur, me bekimin e lutjeve të së cilës arrita aty ku arrita; lutjet e saj ishin mburoja ime dhe drita e rrugës sime. Lus Allahun t’i forcojë zemrën dhe ta shpërblejë me të mirat më të mëdha për mua.
Ju porosis gjithashtu për shoqen e jetës sime, bashkëshorten time të dashur, Umm Salah (Bayan), të cilën lufta na ndau për ditë e muaj të tërë, por që qëndroi besnike, e palëkundur si trungu i ullirit, e durueshme dhe e fortë, që mbajti amanetin në mungesën time me forcë dhe besim.
Ju porosis të mblidheni rreth tyre dhe të jeni mbështetje për ta pas Zotit të Madhërishëm.
Nëse vdes, unë vdes i qëndrueshëm në parim, dëshmoj para Allahut se jam i kënaqur me caktimin e Tij, besimplotë për takimin me Të, dhe i bindur se ajo që është tek Allahu është më e mirë dhe më e përhershme.
O Allah, më prano mes dëshmorëve, më fal mëkatet e mia të shkuara dhe të ardhshme, dhe bëje gjakun tim dritë që ndriçon rrugën e lirisë për popullin dhe vendin tim.
Më falni nëse kam munguar në detyrën time, dhe lutuni për mua me mëshirë, sepse unë u nisa në këtë rrugë besnik ndaj premtimit, pa ndryshuar e pa tradhtuar.
Mos e harroni Gazën…
Dhe mos më harroni mua nga lutjet tuaja për falje dhe pranim.
Anas Jamal al-Sharif
06.04.2025
Kjo është ajo që i dashuri ynë Anas kishte porositur të publikohej në rastin e rëniës shehid.
Administratori i faqes








