Klubet i ka lodhur zbrazja e palestrave, kërkojnë heqjen e masave nga FBK-ja

Dy palestrat e vetme që nuk ishin zbrazur këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll, në Gjakovë dhe në Suharekë, u zbrazën në xhiron e fundit. Zbrazja e këtyre palestrave erdhi si rrjedhojë e veprimeve të shikuesve në tribuna, që ishin në kundërshtim me rregullat që i ka vendosur Federata e Basketbollit të Kosovës pas incidenteve të rënda që ndodhën në turneun e Superkupës, që u mbajt në Prishtinë javë më parë.

Si në Gjakovë ashtu edhe në Suharekë palestrat u zbrazën në minutat e fundit të ndeshjeve për shkak të fyerjeve të shikuesve në kor. Në Suharekë u hodh edhe një mjet plasës. Fyerjet iu drejtuan kreut të FBK-së, Arben Fetahu, dhe institucionit që ai e drejton. Nuk ka pasur sjellje tjera të palejuara, por gjyqtarët kanë zbatuar vendimet e fundit të FBK-së dhe me të nisur fyerjet kanë dhënë vërejtjet. Si masë tjetër, pas dy vërejtjeve, kanë larguar shikuesit nga palestra.

Por numri i atyre që kundërshtojnë këtë praktikë të FBK-së dhe të gjyqtarëve sa shkon e rritet. Tashmë klubet nuk po pajtohen që për fyerje të shikuesve apo të një grupi të tyre, të largohen të gjithë të pranishmit nga palestra. Ndërprerjet e lojës po zgjasin deri në gjysmë ore dhe kjo, sipas klubeve, është bërë e tepërt.

Disa klube madje frikësohen se në këtë mënyrë mund t’i humbin shikuesit.

FBK-ja kishte marrë masa më të rrepta për të ndalur dhunën që dukej se po dilte nga kontrolli. Grupet e organizuara të tifozëve zyrtarisht nuk lejohen në palestra. Në fakt tifozët po grupohen, por pa shfaqur simbole të tyre. Pas Superkupës incidente nuk ka pasur, por sharje e fyerje po. Dhe ato vazhdimisht janë shoqëruar me largim të shikuesve nga palestra.

Klubet së shpejti pritet të dërgojnë një kërkesë të përbashkët në FBK për heqjen e masave aktuale. Megjithatë, FBK-ja nuk do ta marrë parasysh kërkesën eventuale. Ka paralajmëruar se do të vazhdojë me zbrazjen e palestrave në secilën ndeshje ku do të ketë fyerje në kor dhe hedhje të gjësendeve që mund t’i rrezikojnë aktorët në parket.

“Është mëkat pasi në çdo palestër në Kosovë ka shumë shikues dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë si është më së miri. Kosova ka pasqyrë të mirë pasi ka palestrat e mbushura. Nuk i di rregullat, por nuk mund të luash pa tifozë. Kur i largon, atëherë vështirë se do të vijnë më. Duhet të shfrytëzohet dashuria e shikuesve ndaj basketbollit, pasi në shumë vende të Evropës investohen me miliona euro dhe palestrat nuk janë të mbushura”, ka thënë trajneri Adis Beqiragiq pas fitores së Yllit ndaj Bashkimit.

Kjo ndeshje e luajtur të dielën në Suharekë, u ndërpre për gati 25 minuta derisa palestra “13 Qershori” u zbraz. Kur kishin mbetur dy minuta deri në fund të ndeshjes, gjyqtarët morën vendim për zbrazjen e palestrës pas fyerjeve në kor të shikuesve të Bashkimit ndaj FBK-së dhe plasjes së një mjeti shpërthyes. Te skuadra e Yllit kanë mbetur të befasuar me këtë veprim. Insistojnë se palestra e tyre u zbraz me fajin e tifozëve mysafirë dhe jo atyre vendas që po ashtu ishin mbledhur për ta përkrahur ekipin.

Drejtori i përgjithshëm i Yllit, Egzon Fetiu, ka thënë të hënën se kjo punë po bëhet e lodhshme dhe torturuese. Ai insiston se nëse vazhdohet me këtë trend të zbrazjes së palestrave, atëherë asnjë tifoz nuk do të mbetet në tribuna.

Këtë edicion zbrazje të palestrave ka pasur edhe në Prishtinë, Pejë, Prizren e Rahovec. Madje, disa prej klubeve si Prishtina e Trepça ishin dënuar me zhvillimin e ndeshjeve pa praninë e tifozëve.

“Neve na u zbraz palestra për shkak të tifozëve të klubit tjetër dhe kjo ishte hera e parë që ndodhi një gjë e tillë në Suharekë, por jo me fajin e tifozëve tanë. Duhet që klubet të ngrenë zërin dhe të reagojnë duke kërkuar heqjen e këtyre masave për shkak se është e rrezikshme që mos të kemi në të ardhmen fare tifozë në palestra. Realisht jemi lodhur nga këto zbrazje dhe është bërë një monotoni. E them këtë sepse tërë kohën merremi me tifozë për të pasur raporte të mira dhe në momentin që ata vijnë në palestër ne po i dëbojmë. Duhet bërë një zgjidhje”, tha Fetiu për KOHËN.

Te skuadra e Vëllaznimit pajtohen se duhet të zbuten masat dhe mos të zbrazen palestrat për shkak se kjo vetëm e dëmton klubin dhe basketbollin në përgjithësi. Drejtori i klubit, Ideal Bakija, ka thënë që sa më shpejt duhet të hiqet ky vendim pasi interesimi veçse ka filluar të zbehet në Gjakovë, qytet që këtë edicion e kishte vazhdimisht të stërmbushur palestrën me tifozë.

“Kjo është e tepërt. Ishte hera e parë që na u zbraz palestra për shkak të fyerjeve, të cilat nuk mund të kontrollohen nga klubi. Do të kërkojmë së bashku me klubet e tjera që të ndalet ky zakon sepse nuk e favorizon aspak basketbollin. Me humbjen e interesimit të tifozëve për të përcjellë ndeshjet, më së shumti humbim në klubet”, ka theksuar Bakija.

Ndërkohë kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka insistuar se vendimet për zbrazjen e palestrave për shkak të fyerjeve në kor dhe hedhjes së gjësendeve do të mbesin në fuqi. Ai ka dhënë shpresë së pas përfundimit të garës për Kupë të Kosovës ka gjasa që FBK-ja të lejojë futjen e tifozëve nëpër palestra në mënyrë të organizuar.

Për t’u kujdesur që masat të zbatohen, FBK-ja krahas vëzhguesit të ndeshjes ka angazhuar edhe komisar të sigurisë.

“Masat e zbrazjes së palestrave do të vazhdojnë në çdo rast të sharjeve në kor dhe hedhjes së gjësendeve në terren apo të rrezikimit të aktorëve të ndeshjes. Ndërkohë, masat e lejimit të tifozëve në mënyrë të organizuar mund të miratohen pas përfundimit të Kupës së Kosovës”, ka thënë Fetahu.

Turneu “Final 8” i Kupës së Kosovës do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Ndeshjet do të luhen prej 15 deri më 19 shkurt.