Koalicioni PAN-AKR jep efektet e para negative, nisin ikjet e të rinjve nga Kosova

Sonte në Stacionin e Autobusëve në Prishtine, janë mbledhur dhjetëra të rinj të cilët prisnin autobusin e orës 23:00, që për destinacion e ka Beogradin.

Rrugëtimin për në kryeqytetin serb këta kosovarë do ta bënin si mundësi për të vazhduar më pas në shtetin hungarez, nga ku mendojnë të largohen për vendet e Perëndimit.

Njëri nga ata që ishte në radhë tha: “Pse po befasoheni që po ikim”?

Bileta deri ne kryeqytetin e Serbisë kushton 20 euro. Autobusi qe po shkonte ishte stërmbushur i tëri. Krejt kjo ngjarje ishte nën vëzhgimin e dy policeve të cilët qëndronin afër autobusit dhe verifikonin dokumentet e udhëtarëve.

Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka demantuar lajmet për ikje, por realiteti flet ndryshe.

“Po ia lëmë Hashim Thaçit shtetit, le ta merr krejt për vete”, tha njëri për Telegrafin, teksa tjetri shton: “Duhet me ia shti flakën këtij vendi”!

Në autobusin e linjës Dragash-Beograd nuk kishte vend për të ulur. Një grua nga Peja, bashkë me dy fëmijët e saj nuk gjeti karrige në autobus.

“Po ikim për Gjermani”, tha gruaja pa dashur që të identifikohet.

Poshtë autobusit me lot në sy djalin, renë bashkë me fëmijët i përcolli Florim Morina nga Peja.

“Prej shtëpisë time 11 veç shkuan. Të gjithë po shkojnë. Këtu nuk ka punësim”, thotë ai.

Rrugën për ikje e ka marr edhe Naser Bytyqi nga Lipjani. Ai tha se nuk ka tjetër zgjidhje përveç të ikë nga vendi, pasi që familjen e mban me hekura që mbledh nëpër bërllok.

“Po e lëshoj, sepse nuk ka punë ktu”, tha ai.

Ndërsa, i riu nga Ferizaj, Fatlum Bytyqi, tha se nuk do të rrezikonte të ikte në të zezë, por ka dalë të mësojë më shumë nga kureshtja.