Kodi Civil i Kosovës, martesa midis gjinive të njëjta dhe mobilizimi për familjen

Abdullah Klinaku

Në fushën e drejtësisë nxjerrja e kodeve juridike trajtohet si arritje e theksuar dhe avancim i sistemit juridik të një vendi.

Kosova, përherë të parë e ka hartuar Kodin e saj civil i cili është proceduar në Kuvend nga Qeveria e Kosovës të cilin e ka miratuar me 31.12.2021. Shqiptarët në përgjithësi gjatë historisë kanë pasur dy kode civile në zbatim, Muxhel-len – Kodin Civil Osman dhe Kodin Civil Shqiptar të vitit 1929. Në ndërkohë janë zbatuar kode civile të ndryshme, në varësi të rrethanave dhe regjimeve politike. Kosova për shkak të okupimit sllav nuk ka pasur mundësi të nxjerr kode juridike asnjëherë deri më tani.
Fatkeqësishtë, kur ka qenë dashur të jetë kohë urimesh për një arritje sikur se kjo e hartimit të Kodit Civil, duhet ngritur shqetësimin për dispozitën e këtij Kodi e cila është në kundërshtim me vlerat fetare e familjare dhe në kundërshtim me interesat tona nacionale.
Kodi Civil i Kosovës i hartuar nga grupet punuese të organizuara nga Ministria e Drejtësisë, e drejtuar këto vitet e fundit nga PDK, AAK e tani nga VV, ka përcaktuar se krahas martesës tradicionale, midis burrit dhe gruas, lejohet edhe bashkësia e regjistruar civile midis gjinive të njëjta. Ndërsa kushtet dhe procedurat i ka përcaktuar të precizohen me ligj të veçantë. Pra, në mënyrë direkte për herë të parë lejohen martesat, bashkësitë e regjistruara civile, midis gjinive të njëjta në Kosovë. Ligji i cili është përmendur do të jetë instrument shtesë për zgjerimin e të drejtave të tyre edhe më shumë, ku do të përfshihet e drejta e adoptimit të fëmijëve e deri te statusi i veçantë social si grupe të margjinalizuara.
Ne si qenie njerëzore, sipas sistemit të vlerave që besojmë, ekzistojmë fal vullnetit të Zotit të Madhërishëm dhe si qenie e tillë jemi të obliguar të kujdesemi për natyrshmërinë tonë njerëzore. Jemi të obliguar ta ruajmë dhe ta mbrojmë njeriun dhe ta kultivojmë njerëzoren. Kombi ynë, për gjatë historisë është ballafaquar me okupime të ndryshme. E okupimi i fundit 1912-1999 ka qenë okupimi i cili ka synuar shfarosjen e kombit tonë nga territori i Kosovës. Gjatë kësaj kohe, Familja ka qenë ajo e cila e ka ruajtur qenësinë tonë kombëtare e kulturore. Në vendet pa shtet e pa pushtet, Familja e ruan Kombin.
Tash, prapë i ka ardhur koha që Familja ta ruaj shtetin e kombin duke mos lejuar asesi të miratohet kjo dispozitë e cila e cënon direkt familjen dhe rendin tonë të vlerave.
Ne e kemi obligim të përpiqemi ti ngjallim e ti ruajmë vlerat tona që i kultivon Besimi ynë. Njeriun e njerëzoren, dashurinë e paqen, guximin e vendosmërinë, ruajtjen e familjes, kombit e Besimin e pa lëkundur në Zotin e Madhërishëm.
Prandaj, Bashkësia Islame dhe bashkësitë e tjera fetare, intelektualët, intelektualet, politikanët e deputetët duhet të veprojnë e marrin masa sa nuk është bërë vonë. Historia jonë alternative por më e sakta që ne besojmë na mëson se nga ndëshkimi për shkak të kësaj dukurie nuk kanë shpëtuar as ata që kanë vepruar e as ata që kanë heshtur.
Dashtë Zoti i Madhërishëm pa diskurs publik që polarizon e taborizim mbyllet kjo udhë e keqe që është nisur.
Në të kundërtën, për fëmijët tonë, për familjen, për kombin e mbi të gjitha për Zotin duhet të veprojmë çdo gjë në kuadër të rendit demokratik që e ndalon udhën e keqe.