Komandanti i KFOR-it i kërkon Kurtit të shmangë veprimet që përkeqësojnë tensionet

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e njëanshme që përkeqësojnë tensionet, pas operacionit të policisë ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit.

Përmes një njoftimit, KFOR-i ka bërë të ditur se Ulutash ka bënë në dukje se veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur mes të gjithë aktorëve përkatës.

Ulutash, ka përsëritur përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit për mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Komandanti turk e bëri të qartë se “roli i KFOR-it vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin rajonal dhe se misioni i udhëhequr nga NATO ruan qëndrim të fleksibël”.

Ulutash kujtoi se KFOR-i është katërfishuar me trupa shtesë që pas tensioneve në veri vitin e kaluar.

“Përparimi drejt stabilitetit të qëndrueshëm në mbarë Kosovën kërkon më shumë sesa praninë e KFOR-it”, tha Ulutash.

Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta, derisa në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro.