Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë në Kosovë është stabile, mbështesim dialogun Prishtinë-Beograd

Para tre javësh, Gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari, mori detyrën si Komandant i KFOR-it.

Në një intervistë për KosovaPress, Kajari thotë se situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe se KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij.

Ai thotë se mirëpriti marrëveshjen e fundit në Bruksel që zgjidhi situatën në veri që ndodhi pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat. Gjithashtu, shton se mbështesin me vendosmëri dialogun dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga më shumë se 3700 trupa nga 20 anëtarë të NATO-s dhe 8 partnerë. Për gjeneralmajor Kajar kjo ilustron qartë angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ai shton se për momentin NATO nuk ka plan për të ndryshuar apo reduktuar misionin e KFOR-it në Kosovë.

Kajar thotë se KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë.