Komisioneri evropian, Johannes Hahn akuzohet për korrupsion

E përditshmja franceze, Liberation e akuzon për korrupsion komisionerin evropian Johannes Hahn.

Gazeta shkruan se austriaku lejoi lobistët e huaj ta ftonin në gjueti dhe darka e dreka të shtrenjta, pa raportuar siç parashihet me rregulloret e BE-së.

Gazeta thekson se Hahn pranoi ftesën për të shkuar në gjueti me lobistët belgë në muajin dhjetor të vitit 2015 gjersa thekson se Kodi i Sjelljes e detyronte të raportonte në Komisionin Evropian ftesën që mori nga lobisti i “Pronarit të Tokës” (ELO).

Një zëdhënës i paidentifikuar i Hahnit tha për ORF dhe Standard se telefonata ishte thjesht private. Ai tha se në gjueti ka marrë pjesë me partneren e atëhershëm, e cila ka patentë gjuetie, raporton diepresse.

Komisioneri Evropian për Buxhetin dhe Administratën beson se nuk ishte e nevojshme të raportonte rastin në regjistrin e transparencës.

Sipas Standard, Komisioneri austriak është i lidhur edhe me situata të tjera të konfliktit të interesit, shkruan orl.at.

Kështu, në qershor të këtij viti, ai madje ka drekuar apo darkuar tre herë me përfaqësuesen e Austrisë në komisionin e auditimit, Helga Berger.

Ai shoqërohej nga partnerja e tij aktuale, Suzana Ris-Paser, një ish-zëvendës kancelare. Sipas gazetës, Berger ka paguar për restorantin dhe ia ka përcjellë faturën komitetit të auditimit.

Nga kabineti i Hahnit thonë se takime të tilla janë pjesë e shkëmbimit të rregullt të mendimeve ndërmjet komisionerëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave.