Ballina Lajmet Kosovë Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, Kurti: Historia duhet të rrëfehet me dinjitet e...

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, Kurti: Historia duhet të rrëfehet me dinjitet e krenari

Hulumtimi i përgatitur nga komisioni i ekspertëve për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, është prezantuar dhe diskutuar në mbledhjen e pestë të Komitetit ndërministror për këtë kompleks.

Siç ka thënë Qeveria në një komunikatë për media të shtunën, hulumtimi paraqet hapin e parë drejt shpalljes së konkursit për hartimin e masterplanit për kompleksin.

“Gjatë vitit të kaluar kemi ndërmarrë hapa për t’u siguruar që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në Kompleks dhe përmes vlerësimeve profesionale dhe ndërhyrjeve emergjente të realizuara, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.

Image
Historia e Familjes Jashari duhet të rrëfehet ashtu siç e meriton, me dinjitet dhe me krenari, ka thënë tutje ai.

“Ky rrëfim duhet të bëhet i ditur për të gjithë, për të rinjtë edhe të rejat, për ata që do vijnë pas nesh dhe për çdo të huaj që e viziton vendin tonë. Duhet të tejkalojmë edhe barrierat kohore, dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari ta shndërrojmë në përjetësi, sepse është një ngjarje unike me efekte të cilat do të shtrihet edhe kur ne nuk do të jemi më”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është një nga proceset më delikate të Kosovës, “dhe për atë jemi siguruar të punojmë me një ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me qasje profesionale e multi- diciplinare, nga historia, monumentaliteti, peizazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe kujtesa kolektive”.

Komiteti ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz qe themeluar në prill të vitit të shkuar. Mekanizmin e udhëheq kryeministri Albin Kurti. Ai qe shprehur atë kohë se synimi është që të zhvillohet e promovohet kompleksi “i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”.