Konfiskohen mbi 14 kg marihuanë në Prishtinë, arrestohet një person

Policia e Kosovës, ka njoftuar se, është arrestuar një i dyshuar dhe janë konfiskuar mbi 14 kg marihuanë.

Në komunikatë shtohet se, janë bërë kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellëse te të dyshuarit A.D, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, shkruan lajmi.net.

Po ashtu është njoftuar se ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Komunikata e plotë:

Arrestohen një i dyshuar dhe konfiskohen mbi 14 kg marihuanë

Prishtinë, më 13 tetor 2022

Hetuesit policorë nga Sektori Qendror i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pasi kanë pranuar një informacion për trafikim të bimëve narkotike, të njëjtin informacion e kanë trajtuar në aspektin policor dhe kanë filluar hetime paraprake për të zbardhur rastin.

Sot më 13.10.2022, në koordinim me prokurorin kujdestar dhe pasi është pranuar urdhëresa nga gjykatësi i procedurës paraprake, është bërë kontrollimi i një lokacioni në Prishtinë ku dyshohej se mund të gjendej lëndë narkotike.

Në ora 13:10, njësitet përkatëse policore kanë filluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit: A.D., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar). Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Dëshmitë e hasura në vend-ngjarje janë fotografuar nga njësia e forenzikës dhe janë tërhequr nga aty.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe me akt-vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.