Ballina Artikuj Kongresi Islam i Kudsit (Jeruzalemit) dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në të

Kongresi Islam i Kudsit (Jeruzalemit) dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në të

Hoxhë Behar Kaçeli

Kongresi i Përgjithshëm Islam ishte një kongres islam të cilin e thirri myftiu i Palestinës, Haxhi Emin el-Husejni, dhe u mbajt në Kuds në vitin 1931.

Qëllimi i tij ishte të zgjonte interesimin e opinionit të gjerë islam botëror për çështjen palestineze dhe të formonte një front islam të fuqishëm përballë sionizmit ndërkombëtar dhe prirjes së botës perëndimore, në krye me Britaninë e asaj kohe, në favor të idesë sioniste.

Ideja për mbajtjen e një Kongresi të Përgjithshëm Islam në Kuds u ripërtërit pas shpërthimit të ngjarjeve të vitit 1928 (Revolta e Burakut), duke u shfrytëzuar ndjenja fetare islame, e cila konsiderohej si “një nga armët më të fuqishme që mund të përdoren për mbrojtjen e të drejtave të arabëve në Palestinë.”

U krijua një komitet përgatitor për të bërë thirrjen dhe për të siguruar kushtet e suksesit të kongresit. Në mesin e tetorit 1931, ftesat u dërguan në emër të Kryetarit të Këshillit të Lartë Islam dhe Myftiut të Kudsit, drejtuar një numri personalitetesh arabe e islame, udhëheqës politikë, klerikë, dijetarë dhe letrarë në Egjipt, Irak, Siri, Liban, Gadishullin Arabik, Libi, Tunizi, Algjeri, Marok, Indi, Xhava, Malajzi, Iran, Afganistan, Cejlon, Turqi, Turkestan dhe në Jugosllavi.

Në tekstin e ftesës thuhej se qëllimi i kongresit ishte: “të shqyrtohet gjendja e tanishme e myslimanëve, të mbrohen vendet e shenjta islame nga duart që zgjaten me lakmi ndaj tyre, si edhe të diskutohen çështje të tjera që kanë rëndësi për të gjithë myslimanët.”

Si vend dhe datë e kongresit u përcaktua afërsia e xhamisë Aksa, në natën e Israsë së bekuar, më 27 Rexheb 1350 hixhri, që përkonte me 7 dhjetor 1931.

Ftesa nuk përmbante një rend dite të përcaktuar për çështjet që do të diskutoheshin, përveçse theksimit të karakterit thjesht islam të kongresit.

Përfaqësues të myslimanëve shqiptar në këtë kongres ishin Vejsel Efendiu dhe Ata Efendiu. Pranimi në kongres i Vejsel Efendiut, që mori pjesë si përfaqësues i myslimanëve të jugut të Jugosllavisë, si dhe i Ata Efendiut, muderris i Medresesë së Meddahut, kishte shkaktuar shqetësim në Shkup. Ndërsa nga Shqipëria zyrtare nuk kishte pjesëmarrës.

Në raportin e Ambasadës së Tiranës në Turqi thuhej se Mbreti nuk kishte marrë ftesë dhe se edhe sikur të merrte, Shqipëria kurrsesi nuk do të merrte pjesë, duke theksuar se Mbreti nuk dëshironte as të dëgjonte fjalën “halif”.

Sipas raportit të Ministrit të Jashtën turk Tevfik Rushtu Aras, ishte ndërhyrja e Turqisë te qeveritë e Iranit, Afganistanit, Shqipërisë dhe Hixhazit, dhe u mësua se këto vende nuk do të merrnin pjesë në asnjë mënyrë në kongres. Në të njëjtën mënyrë, u vendos kontakt edhe me qeveritë e Irakut dhe Egjiptit, të cilat njoftuan se nuk do të dërgonin përfaqësues zyrtarë, por nuk do t’i pengonin ata që do të shkonin privatisht.

Autor: Behar Kaçeli