Konjufca thekson nevojën për një dinamikë të re bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, Ardian Gola, ka pritur sot në takim Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të drejtuar nga Flutura Açka.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Konjufca ka vlerësuar lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon.

Ndryshe, kryeparlamentari shprehu interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht në rrafshin parlamentar.

“Kryetari Konjufca theksoi nevojën e një dinamike të re të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, përfshirë këtu sferën e arsimit, si njërën nga shtyllat kryesore të zhvillimit, për të rezultuar me arsim cilësor dhe konkurrues në tregun global”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, anëtarët e delegacionit parlamentar nga Shqipëria kanë falënderuar Konjufcën për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht shprehën interesimin e tyre për të rritur angazhimet në funksion të kooperimit sa më të madh ndër parlamentar midis Kosovës dhe Shqipërisë.