Koreja e Jugut vendosi një ndalim të udhëtimit jashtë shtetit për presidentin Yoon Suk Yeol në mes të krizës politike të vazhdueshme të shkaktuar nga përpjekja e tij e dështuar për vendosjen e ligjit ushtarak, transmeton Anadolu.
Siç njoftoi transmetuesi KBS, Ministria e Drejtësisë e Koresë së Jugut vendosi ndalimin për presidentin Yoon.
Kërkesa për ndalim e udhëtimit është bërë nga Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë.
Yoon po hetohet për tradhti, kryengritje dhe abuzim me pushtetin, pasi shumica e ligjvënësve refuzuan shpalljen e ligjit ushtarak javën e kaluar.
Megjithatë, ai i mbijetoi një mocioni për shkarkim lidhur me këtë veprim.
“Sigurimi i materialeve të nevojshme është në rend të parë… Ne po vendosim bazuar në një shqyrtim gjithëpërfshirës, duke përfshirë mundësinë që ai të largohet nga vendi”, tha një zyrtar i policisë në një konferencë për media.
Gjithashtu, autoritetet po shqyrtojnë të gjitha opsionet, duke përfshirë marrjen në pyetje të presidentit dhe madje edhe mundësinë e arrestimit të tij.
Të paktën 11 persona janë identifikuar nga policia në lidhje me hetimin dhe një ndalim udhëtimi është vendosur për ish-ministrin e Mbrojtjes Kim Yong-hyun, ish-ministrin e Brendshëm Lee Sang-min, ish-komandantin e Komandës së Kundërzbulimit, Yeo In-hyung, dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë Gjeneral Park An-su. Që atëherë, ministri i Mbrojtjes Kim është arrestuar.
Udhëheqësi i Partisë së Pushtetit Popullor (PPP), Han Dong-hoon dhe kryeministri Han Duck-soo thanë se presidenti nuk do të përfshihet në punët e brendshme dhe të jashtme të vendit përpara se të jepte dorëheqjen.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes theksoi se kontrolli i forcave ushtarake të Koresë së Jugut “aktualisht është te presidenti Yoon Suk Yeolas, komandant i përgjithshëm”.








